fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Tragjedia në Shkodër, gazetarja: Alma, do të doja të të kisha takuar para 2 majit…

Share

Nga Dorjana Bezat

Alma do të doja të të kisha njohur, të të kisha takuar para 2 majit.
Të isha me ty dhe 3 vogëlushët e tu që të kapeshin pas fustanit tënd. T’u thoja nuk jeni vetëm!
Jeta nuk duhet të shuhet kur një burrë të lë. As kur sheh para vetes dyer të mbyllura. As kur refuzohesh.
Për Almën që iku dhe shumë “Alma” të fshehura, MOS U DORËZONI!
Jeni më shumë se shtëpiake, më shumë se gra. JU mund t’ja dilni!
Alma ia doli edhe kur burri i saj aventurier mbolli kanabis e përfundoi në burg.
Ia doli dhe kur netëve ai nuk vinte në shtëpi dhe harbohej bareve. Nuk duhet të dorëzohej kur ai i tregoi derën.
Nëse jo për veten bëjeni për jetët e pafajshmëve të fëmijëve që keni lindur.
Po shkruaj që qoftë edhe një “Alma” e fshehur të më lexojë e të mendojë se nuk është vetëm. Ka gjithmonë zgjidhje. E di që është e vështirë me tre fëmijë, pa para, pa profesion, pa çati mbi krye të rinisësh jetën. E di sa i ka peshuar damka “e çmendur”. Por ikja nga kjo jetë kurrësesi nuk duhet të ishte alternativë.
Hodha një sy në rrjetet sociale të xhelatit. Aty Alma ishte “zemra”, “dashuri”, “bota ime”. Po kur e dhunonte çfarë i thoshte? Këtë se gjeta të shkruar askund.
Blutë e Shkodrës më thanë se kur identifikoi të bijën e pajetë mbytur në ujrat e Bunës, ishte krejt i ftohtë. Çudi! Sa kontrast me postimet gjithë hare dhe dashuri përqafuar me fëmijët në Facebook.
Megjithatë diçka më mbeti në mend që ndoshta një psikolog ekspert i fushës mund ti japë përgjigje. Kishte kaq shumë thagma që ai I jepte zë. Aksidente me qindra viktima, familje që shuhen nga tërmeti dhe fatkeqësi të tjera. Se di a ishte ai një Kasandër për fatin e fëmijëve të tij apo Alma një Medea e dalë nga tragjeditë e Euripidit…
Pushoni në paqe engjëj të pafajshëm!


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button