fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Profesionet e lira sot në Kushtetuese! Gjykata shqyrton padinë për shfuqizimin e ligjit

Share

Sot Gjykata Kushtetuese shqyrton në një seancë të hapur ligjin e taksimit të profesioneve të lira. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar një ditë para shqyrtimit duke u shprehur se kjo është një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal.

Tabaku thekson se në Kosovë, profesionet e lira taksohen me 9%, ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra, më poshtë se në Shqipëri). “Nëse në Shqipëri, profesionet e lira taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët”, – shprehet ajo.

Ndër të tjera, deputetja demokrate shkruan se “kriza ekonomike që po kalon vendi është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar”.

REAGIMI I PLOTË

Ditën e nesërme (sot) Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në një seancë të hapur kushtetutshmërinë e Taksimit të Profesioneve të Lira. Qeveria pretendon se ne që e kundërshtojmë këtë taksë, jemi disa anarkistë që nuk duam fare taksimin. Në të vërtetë, ne jemi njerëzit racionalë që jemi kundër taksimit të pandershëm dhe një sistemi korruptiv që i bën të paguajnë shumicën më shumë duke i rënduar në kurriz barrën e rëndë fiskale. Politika e taksimit të pandershëm dhe sistemit korruptiv ka shkatërruar sipërmarrjen e lirë dhe padyshim riskmarrësit kanë vendosur të largohen nga vendi. Rreziku është që profesionistët e lirë të shkojnë në Kosovë apo vendet fqinje të rajonit. Pse? Në Kosovë profesionet e lira taksohen me 9%, ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra, më poshtë se në Shqipëri).

Nëse në Shqipëri profesionet e lira taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët. Bizneset e reja që po krijohen në Shqipëri janë në përqindje më të ulëtat që nga viti 2010. Sipërmarrjet e reja për vitin 2023 ishin 10.5% e totalit të ndërmarrjeve aktive dhe ky është treguesi më i ulët që nga viti 2010, por dhe në nivelin e pandemisë. Investimet e Huaja Direkte janë rritur në vlerë, por realisht ata janë investime në blerjen e apartamenteve pasi ekonomia e monopolizuar dhe ligjet me porosi të kësaj mazhorance nuk ofrojnë asnjë mundësi investimi serioz Kriza ekonomike që po kalon vendi është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar. Prandaj nesër beteja në Kushtetuese për Profesionet e Lira është në të vërtetë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal që është ngritur për të taksuar punën, dijen dhe riskun sipërmarrës ndërkohë që u fal taksat një pakice që përfiton gjithë të mirat e buxhetit, pra taksave të shqiptarëve.


Huazuar nga StartNews.

Back to top button