
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar 24 vatra zjarri, prej të cilave 7 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Aktualisht, në terren janë 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
* Mali i Dajtit, Tiranë – situata vijon të mbahet nën kontroll, megjithëse vatra mbetet aktive në të dyja anët e kreshtës. Sot operacioni për izolimin vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Vakumone, Tiranë – situata është nën kontroll dhe vatra e izoluar, pa rrezik për zonat e banuara. Priska vijon në monitorim.
* Gurë-Lurë, Dibër – vijon një nga operacionet më të mëdha, me 180 forca bashkiake, 14 policore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave. Sot vijon operacioni për izolimin e vatrës dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmës, Dibër/Bulqizë – zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv drejt Selishtës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Bruç, Mat – vijon operacioni në një terren shkëmbor dhe të vështirë, sot i përforcuar edhe me 30 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për banesat.
* Lufaj, Mirditë – vatra është aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Në operacion janë angazhuar MZSH, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët, të mbështetur nga 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse të FA dhe 9 efektivë ushtarakë.
* Fushë-Lajë, Pukë – vijon operacioni në terren të vështirë, ku era ka favorizuar përhapjen drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Sot janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe 2 helikopterë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Start News
