CampingjeFesta dhe EventeGuida dhe guiderHostele dhe BujtinaKulinari dhe ArtizanaleLOKALEVisit Diber

Dibra, turizëm në tokën ku Korabi përkëdhel Lurën

Si Dibra s'ka tjeter!

Share

“Shqipëria ime fantastike” është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, i cili synon që çdo javë të sjellë në vëmendjen e lexuesit shqiptar destinacione dhe atraksione turistike, të cilat vlejnë të vizitohen përgjatë vitit ne vazhdim. Ky suplement do t’i çojë lexuesit në çdo cep të vendit për ta bërë atë të njohë elemente nga kulinaria, trashëgimia kulturore, hoteleria dhe artizanati që zona të veçanta ofrojnë.

Rajoni i Dibrës shtrihet në Lindje të Shqipërisë, në një terren të thyer përgjithësisht malor, por i kombinuar në të ashtuquajturën zonë e ulët që fillon nga lumi Drin i zi dhe sa vjen e lartësohet në pllaja. Kodra dhe male të thepisura deri në kufi me Republikën e Maqedonisë. Vargmalet e Korabit, malit më të lartë në Shqipëri, kanë një bukuri të rrallë. Ato mbajnë mbi supe kreshta malesh të përbëra nga guri gëlqeror dhe formacione gipsi, të veshura me bimësi barishtore të kullotave alpine të llojeve të shumta e që formojnë një tapet të gjelbër në periudhën pranverë-verë. Lulet e shumta shumëngjyrëshe, burimet ujore të karaktereve ujëvara, liqene natyrale, drurët pyjorë të llojeve fletore dhe halore të cilat vetullojnë këto zona alpine, shfaqin një pamje të shkëlqyer peizazhi për banorët vendas dhe vizitorët. Shumë zona të tilla si Kalaja e Dodës me Korabin madhështor e livadhet alpine, zona e Gramës me kullotat alpine, liqenet natyrale të tipit karstik, liqeni artificial në qendër të Gramës, i shoqëruar me drurët pyjorë të bredhit e pishës, janë me të vërtetë perla të rajonit tonë.

 

ZONA E KALASË SË DODËS

 

Mirë se vini në Kala të Dodës, porta e malit më të lartë të Shqipërisë. Kalaja e Dodës është porta dhe streha për ata që duan të arrijnë majën e Shqipërisë, malin më të lartë të vendit tonë dhe një ndër më të lartët në Gadishullin e Ballkanit. Dy janë rrugët nga arrihet në fshatrat karakteristike të Kalasë së Dodës. Ajo arrihet si nga Peshkopia apo Dibra e Madhe në rrugën Peshkopi-Kala e Dodës, si dhe Kosova e Kukësi mund ta arrijnë që nga rruga Kukës- Bushtricë-Kala e Dodës. Komuna Kala e Dodës shtrihet në verilindje të qytetit të Peshkopisë, me distancën më të afërt 30 km dhe më të largëtën 40 km nga Peshkopia. Tri elemente shumë të rëndësishme për jetën mund të gjenden atje: ajri shumë i pastër dhe i freskët, uji i ftohtë si dhe prodhime blegtorale, mish dhe bulmet i një cilësie shumë të lartë (BIO). Kushtet e strehimit janë në përgjithësi modeste, por që shkojnë çdo ditë në përmirësim, dhe vilat e para të kompletuara vijnë në shtim.

MALI I KORABIT
Mali i Korabit përbën pjesën më të lartë të krejt vargut me të njëjtin emër, duke qenë jo vetëm mali më i lartë i Shqipërisë (2751 m), por edhe një nga më të lartët e Gadishullit Ballkanik. Korabi shtrihet midis luginës së përroit të Veleshicës dhe asaj të përroit të Gramës. Kurrizi i Korabit ndahet në tri kreshta kryesore prej gropash kontakti, si ajo e Panairit, e Staneve të Preshit dhe ajo e Bjeshkës së Shehut. Fusha e Panaritit Ndër këta, më e njohura është gropa e Panairit. Peizazhi i saj është madhështor. Mbi të qëndron maja e Korabit, ndërsa ka formën e një stadiumi në krye të të cilit është një burim me ujin më të ftohtë që buron në Shqipëri. Vendasit rekomandojnë që uji i Panairit mund të pihet vetëm duke përdorur pipëza, pasi përdorimi direkt krijon probleme. Kjo për shkak të temperaturës shumë të ulët. Nëse vizitori arrin në muajin qershor në këtë fushë, pranë burimit ai do të gjejë borë dhe krahas kësaj plot lule me një pasuri të jashtëzakonshme bimësh e ngjyrash. Vendasit mendojnë se emri Panair vjen nga fakti që në shekuj ky vend është përdorur si panair i blegtorisë për të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo gropë ka formë vezake, me fund gati të sheshtë, e cila varet mbi lugun akullnajor të rrafshit të Korabit në veri, me një prag gati 200 m të lartë. Gropa e Panairit ka dy kreshta, atë të Moravës (2716 m) dhe atë të Rosnikut (2567 m), të cilat bashkohen te maja e Korabit. Karakteristikë e shkëmbinjve përbërës të këtyre kreshtave janë brezat gëlqerore e të mermerizuara. Cirqet akullnajore që skalitin këto kreshta dhe që formojnë cirqe komplekse, janë të ruajtura më mirë se kudo gjetkë. Ata shtrihen në formë të shkallëzuar derisa përfundojnë në lugun akullnajor të Rrafshit të Korabit në veri dhe në gropën e Panairit në lindje. Gropa e Panairit ndahet nga ajo e Staneve të Preshit (vendburim i ujit që furnizon qytetin e Peshkopisë) nga kreshta e famshme e Moravës, duke formuar një rrëpirë 600-700 m të lartë.

RRAFSHI I KORABIT
Përpara se të arrihet në Panair, vizitori normalisht duhet të kalojë rrafshin e Korabit, e quajtur nga vendasit edhe fusha e Korabit, që historikisht ka shërbyer edhe si urë lidhjeje për Kalanë e Dodës me shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës. Është kjo arsyeja që vendasit i kanë kushtuar kësaj fushe plot këngë e legjenda. Gjatë periudhës së verës ajo është mbushur plot me stane dhe me tufa delesh. I ngjan një qilimi gjigant me lule, të cilat nga java në javë i lënë radhën njëra-tjetrës. Kjo fushë, që ndodhet në veri të malit, ka tipare të qarta të një korite me gjatësi rreth 3 km. Në të formohen disa pragje, derisa zbret mbi fshatin Radomirë, ndërsa në fundin e saj takohen edhe disa kodrina. Vizitorëve kjo fushë, krahas ajrit të pastër, freskisë e bukurisë mahnitëse, u ofron edhe kushte shumë të mira për pista skish apo aktivitete të tjera dimërore. Në këtë rrafsh dëbora qëndron mesatarisht mbi 6 muaj. Mjafton një orë ngjitje nga fshati Radomirë për t’iu afruar që në mëngjes rrafshit të Korabit. Ky pastaj mund të jetë fillimi për vizitorin. Për t’u vizituar nuk është vetëm maja e Korabit, nuk është as vetëm fusha e Panairit. Janë edhe plot bukuri të tjera të natyrës që shkurt do t’i përshkruajmë më poshtë: Gropa e Staneve të Preshit në jugperëndim ka formë të përzgjatur dhe është më e gjerë se ajo e Panairit. Në të formohen pragje deri në fshatin Radomirë. Në pragun më të poshtëm gjenden 5 liqene akullnajore që janë në tharje, por që akoma ruajnë vlera që i shtojnë këtij peizazhi.

PORTAT E KORABIT
Kreshta tjetër e këtij mali është ajo e Portave të Korabit, e cila ndahet nga vetë maja e Korabit prej qafës me të njëjtin emër (2475 m lartësi). Kjo kreshtë, në të cilën lartësohen dy maja me lartësi mbi 2700 metra, ndan gropën e Staneve të Preshit në verilindje nga ajo e Bjeshkës së Shehut në jugperëndim. Kjo e fundit, në ndryshim prej dy gropave të lartpërmendura, është thelluar aq shumë nga një dege e përroit të Veleshicës, saqë ka marrë më tepër tiparet e një lugine. Në shpatin lindor të kreshtës së Korabit takohen dhe mjaft forma të karstit nival, që përfaqësohen nga hinka, ulluqe dhe gropëza të ndryshme. Dukuritë e ngricave kanë çuar në formimin e rrjedhjeve të shumta gurore që zbresin nga këto kreshta drejt fundit të cirqeve. Kur vizitori don të shkojë në drejtim të malit të Gramës (pjesë e këtij ansambli madhështor), ky kurriz ulet dhe bëhet gjithnjë e më i butë, sepse gëlqerorët i lënë vendin rreshpeve. Shpati perëndimor i këtij kurrizi bie mjaft pjerrët në shpatullën akullnajore të Bjeshkës së Zonjave, midis Malit të Bardhe dhe atij të Gramës. Kjo shpatullinë është formuar në kontaktin tektonik të rreshpeve me gipset e Malit të Bardhë dhe përbën një prag litologjik. Prania e gipseve nën këtë prag e ka ruajtur atë nga shkatërrimi, duke penguar erozionin mbrapësor të përroit të Grames. Ky prag i transformuar në një shpatullinë gjatë akullzimit, ka gjatësi afro 2 km, gjerësi deri në 1 km dhe mbi të gjenden dy liqene akullnajore. Pjesa më mahnitëse e tij është përroi i Lushit, i famshëm për bukurinë e luleve të pranverës si dhe për pasurinë e madhe të biodiversitetit e veçanërisht të llojeve të rralla. Vizitorin e masivit të Korabit e mahnitin kontrastet e theksuara midis majave të larta e mjaft të mprehta me natyrë alpine dhe e luginave, grykave, lugjeve e gropave të thella. Bimët, kafshët si dhe pasuria e madhe në ujëra i shton së tepërmi vlerat e këtyre peizazheve, që përbëjnë një pasuri të madhe, si dhe një të ardhme për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

LURA
Por jo më pas tyre qëndron Lura, e cila është një perlë e tipit alpin, me pyje të shumta të llojeve halore, me fshatrat e saj të vendosura në pllaja e lugina, me shtate liqenesh natyrale të tipit karstik, të cilat janë një shfaqje e rrallë e bukurisë natyrore Fusha e Pelave, me një sipërfaqe 50 hektarë, është e rrethuar kudo me bredh e pishë dhe paraqet një pamje vërtet mahnitëse, ku sipas dëshmive të të moshuarve, në kohë të hershme organizoheshin gara me kuaj gjatë periudhës së verës, ndaj quhet edhe “Fusha e Pelave”. Tufa të mëdha dhensh kullotin në bjeshkën e Gjargjishtit, e cila ka bar dhe lule të shumta. Banoret janë shumë mikpritës, ata janë vërtet të varfër, por me zemër të madhe. Mbarështojnë kryesisht dele dhe bletë. Jeta e tyre është e lidhur kryesisht me pyllin dhe tokën e pakët. Druri ata i shoqëron gjatë gjithë jetës së tyre. Në mes të pllajës shtrihet një lumë me ujë të pastër, i cili buron nga malet e larta. Por burimet ujore me ujë kristal janë të shumta.

LURA E VJETËR
Vetëm 2 km nga Fushë-Lura për në perëndim, shtrihet Lura e Vjetër, dikur sektori i sharrave të ish-Ndërmarrjes së Shfrytëzimit. Aty ka burime të shumta uji dhe pishat e bredhat të shoqërojnë kudo. Aty në mes të fshatit ka edhe një kishë për banorët e besimit katolik.

LIQENET E LURËS
Nga Lura e Vjetër rruga të drejton për në zonën e liqeneve, të cilat janë shtatë. Përgjatë rrugës shpaloset bukuria e maleve të mbuluara me drurë, çeltirat me lule shumëngjyrëshe dhe ndjehesh i emocionuar nën cicërimën e zogjve dhe bilbilave. Atykëtu dëgjon edhe këngën e gjelit të egër, një pasuri e rrallë dhe e bukur kjo e kësaj treve. Pamje të tilla shumë të bukura mbajnë në vetvete edhe zonat e Ilnicës (Hinoska) dhe bjeshka e Pocestit me ujëvarën e saj fantastike. Në zonën e Bulqizës, në pyjet e Ternovës shpaloset një peizazh shumë i bukur natyror me pyje dhe liqene natyrale, të cilat i zbukurojnë së tepërmi vlerat e mjedisit të kësaj zone. Këto vlera peizazhistike që bartin zona të caktuara të rajonit, bëhen edhe më interesante kur njëherazi shpalosen edhe historitë e banorëve vendas, simbioza e tyre me pyllin, kullotën, blegtorinë. Por ata janë edhe shumë mikpritës dhe të respektuar për mikun, dashamirës për vizitorët dhe vizitat që u bëhen, të gatshëm në rrëfimin e të dhënave historike.

Huazuar nga http://www.panorama.com.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button