fbpx
Aktualitet dhe Lajme

U dënua me 1 vit burg për dosjen “Babale”, Ervin Salianji vetëdorëzohet sot në polici

Share

Gjykata e Apelit dënoi dje me 1 vit burg Ervin Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Deputeti demokrat u shpall fajtor nga gjykata e Apelit për “kallëzim të rremë” për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, e njohur dhe si dosja “Babale”.

Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin.

Mbrëmjen e djeshme në një intervistë, deputeti i artisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se do të zbatojë vendimin për ndalimin e tij dhe se për këtë arsye do të shkojë vetë në polici.

“Po, besoj se në rrugë e sipër është. Është ndjekur një procedurë, që do të jetë urdhër ekzekutimi i menjëhershëm dhe nesër mesa duket do të zbatohet. Por do të jem vetë që do të shkoj”, tha Ervin Salianji.

Çfarë është dosja “Babale”

Çështja e skandalit të inskenuar “Babale” plasi më 14 Maj të vitit 2018 nga selia e PD-së në Tiranë, në një konferencë për shtyp ku dolën Ervin Salianji, Enkelejd Alibej dhe Gazment Bardhi, duke denoncuar atë që e quajtën “audio-përgjim ku implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.

Përgjimet pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë.

Prokuroria Tiranë dhe Gjykata e shkallës së parë konkluduan se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, duke i dënuar. Vendimi u mor më 18 Dhjetor 2019 nga gjyqtari Artan Gjermeni, konkretisht:
Deputeti Ervin Salianji u dënua me 1 vit burgim. Albert Veliu, njohur si Babalja, u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, Alfred Alizoti me 2 vite burgim, dënim që pretendon se e ka mbaruar, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim zëvendësohet me 100 orë pune.

Në përfundimet e prokurorisë u vlerësua se “të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale, kanë krijuar një provë të rremë në formën e një audio përgjimi me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga ana e Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve”.

Prokurorët shpjeguan se Veliu dhe Alizoti kanë vepruar duke patur si motiv marrjen e një shpërblimi material nga ana e të pandehurit Ervin Salianji.

Sipas prokurorisë, ish deputeti i kishte premtuar Albert Veliut 200 mijë euro si shpërblim nëse do t’i sillte të dhëna që inkriminonin vëllain e ish ministrit Xhafaj, në atë kohë në krye të mnistrisë së Brendshme.

Veliu, theksohet në pretencën e Prokurorisë “ka patur si motiv dhe marrjen e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Ndërsa Salianji i cilësuar si “nxitës dhe organizator i këtij procesi dhe Jetmir Olldashi, si ndihmës i drejtëpërdrejtë i tij, kanë patur si motiv, dëmtimin politikisht të shtetasit Fatmir Xhafaj (vëllai i Geron Xhafaj) që në atë kohë ishte me detyrën e ministrit të Brendshëm.

Në fakt, publikimi i audio-përgjimit, pasoi një fushatë të tërë të opozitës kundër zotit Xhafaj, duke kërkuar me ngulm dhe dorëheqjen e tij si dhe duke organizuar protesta përpara ministrisë së Brendshme.

Zoti Xhafaj, akuzoi që në atë kohë opozitën si autore të një materiali të sajuar, ndërsa i vëllai i tij hodhi poshtë kategorikisht të kishte patur biseda me Albert Veliun, një personazh i dënuar me burg për trafik droge në Itali dhe më pas edhe në Shqipëri.

Vetë Geron Xhafaj, ndaj të cilit kishte një dënim të mbetur pezull në Itali, i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2003 në Itali, ju vetdorëzua autoriteteve italiane për të shlyer dënimin, pas akuzave të opozitës se ishte marrë në mbrojtje nga vëllai i tij ministër.

Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku dhe dje u dha vendimi me 1 vit burgim. Bashkë me Salianjin fajtor u shpall edhe gazetari Jetmir Olldashi nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’. Për këtë të fundit vendimi i Gjykatës së Apelit është 100 orë punë në komunitet.

Në seancën e djeshme avokati i Jetmir Olldashit, Indrit Sefa tha se “Paraqitja e vendimit të pushimit nga krimet e rënda, vetëm tani në lidhje me këtë çështje, tregon se vendimi i shkallës së parë është i paligjshëm, dhe nuk duhet që të merret parasysh. Nuk mund të administrohet ky vendim si prove e dorëzuar nga avokati i viktimës së veprës penale, Geron Xhafa”.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button