Aktualitet dhe Lajme

Takimi i udhëheqësve europianë përfundon pa dakordësi mbi propozimet për postet kyçe të BE-së

Share

Udhëheqësit e Bashkimit Europian përfunduan pa marrëveshje një diskutim të hënën se kush duhet të marrë postet kryesore të bllokut europian për pesë vitet e ardhshme. Vendimi për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së synohet të merret në një takim të nivelit të lartë javën e ardhshme.

Takimi i drejtuesve europianë ishte i pari që nga zgjedhjet për Parlamentit Europian, ku partitë e qendërs së djathtë, por edhe e djatha e skajshme shënuan fitore, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz pësuan humbje të fortë.

Gjatë darkës në Bruksel, 27 udhëheqësit europian diskutuan se kush duhet të drejtojë organin e fuqishëm ekzekutiv të Komisionit Europian, kush duhet të drejtojë Këshillin Europian dhe kush duhet të marrë postin e shefit të Politikës së Jashtme.

Pritej gjerësisht që ata të propozonin zonjën Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Europian, ish-kryeministrin portugez Antonio Costa si President të Këshillit Europian dhe kryeministren e Estonisë Kaja Kallas si shefe të Politikës së Jashtme. Por presidenti aktual i Këshillit Europian, Charles Michel tha se u nevojitej më shumë kohë.

“Ishte një bisedë e mirë e cila po shkon në drejtimin e duhur. Por nuk ka marrëveshje sonte”, u tha ai gazetarëve pas darkës.

Von der Leyen drejt një mandati të dytë

Ursula Von der Leyen mbetet në pozitat më të favorshme për të siguruar edhe një mandat tjetër si Presidente e Komisionit Europian, sidomos pas fitores së partisë së saj të qendrës së djathtë, Partisë Popullore Europiane në zgjedhjet që u mbajtën nga 6-9 qershor.

Franca kishte shqyrtuar më parë edhe mundësinë e kandidaturave të tjera veç zonjës Von der Leyen, por tani që presidenti Macron thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare qeveria preferon qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian.

Gjermania e ka bërë të qartë se mbështet zonjën Von der Leyen për një mandat tjetër. Mundësia që udhëheqësit të marrin formalisht një vendim është takimi i nivelit të lartë që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor./VOA



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button