Aktualitet dhe Lajme

Për herë të parë në 24 vite/ Putin viziton sot Korenë e Veriut, nuk kursen falenderimet për Phenianin

Share

Përpara vizitës historike në 24 vjet në Phenian, Presidenti rus Vladimir Putin ka falenderuar Korenë e Veriut për mbështetje të vendosur në luftën e Moskës në Ukrainë. Gjatë ditës së sotme, Putin pritet të mbërrijë në kryeqytet për të zhvilluar një takim me liderin e Korenë së Veriut, Kim Jong Un.

Dy liderët u takuan për herë të fundit në Shtator në Vostochny në Rusi, por kjo është vizita e parë e Putinit në Phenian që nga viti 2000. Sipas një letre që është publikuar në mediat shtetërore të Koresë së Veriut, Putin premton se do të ndërtojë sisteme tregtare dhe sigurie me Phenianin, të cilat nuk kontrollohen nga Perëndimi.

Gjithashtu, Presidenti Putin është zotuar se do të mbështesë përpjekjet e Phenianit për mbrojtjen e interesave të tij, pavarësisht nga ato që ai i quajti presion, shantazh dhe kërcënime ushtarake të SHBA-së.

Referuar këtij dokumenti, Putin thotë se 2 vendet do të vazhdojnë të kundërshtojnë ata që i quajti ambicie perëndimore për të penguar vendosjen e një rendi botëror të shumëpolarizuar të bazuar në respektin e ndërsjellë për drejtësinë.

Kremlini e ka përshkruar ngjarjen si një vizitë shtetërore miqësore, ndërkohë që mediat ruse kanë  raportuar se Putin dhe Kim mund të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti, duke përfshirë çështjet e sigurisë dhe do të japin deklarata të përbashkëta për mediat.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA është e shqetësuar për lidhjet më të ngushta midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.

“Ne nuk jemi të shqetësuar për udhëtimin e Putinit. Ajo që na shqetëson është thellimi i marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby.

John Nilsson-Wright, kreu i programit të Japonisë dhe Koresë në Qendrën për Gjeopolitikën e Universitetit të Kembrixhit, tha se Putin po forcon lidhjet me partnerin e tij të vjetër të Luftës së Ftohtë në një përpjekje për të kundërshtuar çdo sugjerim që SHBA dhe aleatët e saj kanë qenë në gjendje për të izoluar Moskën.

Në vitin 2000, në fillim të karrierës së tij presidenciale, Putin takoi babanë e Kim, Kim Jong Il, i cili ishte ende lider suprem. Lidhjet midis dy shteteve të parisë janë rritur vitet e fundit, veçanërisht që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button