Aktualitet dhe Lajme

Zv. presidentja e Bullgarisë vizitë në Ostren

Share

Zv. presidentja e Bullgarisë, Iliana Iotova, gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, ka vizituar edhe fshatin Ostren i Madh në Bashkinë e Bulqizës, njohur edhe si qendra e zonës së Gollobordës. Iotova është pritur nga kryebashkiakia e Bulqizës, Festime Mjeshtri.

Një vizitë e tillë nga një zyrtar i lartë bullgar, vjen vetëm pak ditë nga nisja e regjistrimi të popullsisë dhe shtëpive në Shqipëri. Ky proces që do të nis më 18 shtator është përgatitur prej katër vitesh. Më parë ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19, e më pas për mossigurimit me kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren.

Procesi në vendin tone, konsiderohet i një rëndësie të veçantë për Sofien, për shkak se do të jetë hera e parë që bullgarët që jetojnë në Shqipëri do të identifikohen si minoritarë, njohur që në vitin 2017-të.

Gjatë një interviste për gazetën Tema, zv. presidentia e Bullgarisë, Iotova tha se Shqipëria e ka komunitetin bullgar të ruajtur më mirë në Ballkan.

“Për shekuj me radhë janë ruajtur gjuha arkaike bullgare, traditat dhe kultura bullgare. Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur dëgjon dikë të flasë gjuhën bullgare, të cilën paraardhësit tanë e kanë folur që në “Shekullin e Artë” të shtetit bullgar-pra fundi i shekullit të 9-të dhe fillimi i shekullit të 10-të. Por kjo nuk mjafton sot në botën moderne. Pasardhësit e bullgarëve këtu duhet të dinë gjuhën letrare bullgare, kjo do t’u hapë atyre shumë mundësi, si për shembull studimi në shkollat e larta bullgare. Në këtë drejtim kemi shumë punë për të bërë-të zgjerojmë rrjetin e shkollave të ashtuquajtura të së dielës, ku mësohet bullgarishtja, të zhvillojmë bashkëpunimin mes universiteteve bullgare dhe shqiptare.” deklaron Iotova.

Zv.presidentja e Bullgarisë gjatë vizitës në Ostren.

“Beteja” për minoritetet

Njohja zyrtare e minoritetit bullgar si pakicë kombëtare ka shkaktuar përplasje të forta brenda politikës, por ka zgjuar edhe orekse të vjetra të fqinjëve të tjerë, me fokus zonën e Gollobordës.

Në gusht të vitit 2022, ministri i jashtëm i Maqedonisë së veriut, Bujar Osmani, do të vizitonte zonën e Trebishtit, konsideruar prej tij si minoritet maqedonas. Sipas kryediplomatit Osmani, nuk ekziston rrezik i asimilimit të maqedonasve në Shqipëri. “Fenomeni i pasaportizimit si instrument i inzhinieringut etnik është i njohur edhe më gjërësisht në rajon. Mendoj se nuk do të japë fryte. Unë me të gjithë njerëzit që jam takuar, të gjithë janë të vetdijshëm për këto çështje. Edhe ne besojmë në institucionet e Shqipërisë, në pjesën e regjistrimit, por këtu jemi edhe ne të ju ndihmojmë, në komunikim me këta njerëz, në asistim, që ta ruajnë veçoritë e tyre kulturore dhe etnike.”, do të deklaronte ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Bullgaria, vend anëtar i Bashkimit Evropian është kthyer në burim shprese për qindra banorë të zonës së Gollobordës – Ostren, Trebisht që sot janë pjesë e bashkisë Bulqizë dhe Stëblevë, pjesë e bashkisë Librazhd – të cilët kanë emigruar masivisht si nënshtetas të Europës, falë pajisjes me pasaporta bullgare.

Shqipëria nis regjistrimin e popullsisë

Më 18 shtator në Shqipëri do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe shtëpive. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike.

Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.

Për regjistrimin e popullsisë do të angazhohen 7.500 persona. Ky do të jetë regjistrimi i dymbëdhjetë i popullsisë në Shqipëri.

Ndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri është realizuar më 2011 dhe rezultoi se popullsia ishte mbi 2.8 milionë banorë. INSTAT në janar të vitit 2022 tha se në Shqipëri jetonin 2.7 milionë banorë, duke raportuar për një rënie prej 1.3 për qind krahasuar me janarin e vitit paraprak.

Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button