Aktualitet dhe Lajme

Xherdan Shaqiri kontribuon me gol në fitoren e thellë të Zvicrës

Share

Zvicra ka fituar me rezultat të thellë 4-0 në miqësoren ndaj Estonisë e cila u zhvillua në qytetin e Luzernit.

Fillimisht ishte Steven Zuber ai i cili realizoi në minutën e 20-të për t’i dhënë epërsinë Zvicrës prej 1-0, ndërkaq në pjesën e dytë Zvicra shënoi edhe tre gola të tjerë me Zeki Amdouni (47′) për 2-0, Nico Elvedi (63′) për 3-0 dhe sulmuesi shqiptar Xherdan Shaqiri i cili në minutën e 70-të u tregua i saktë nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 4-0.

Kjo ndeshje ishte një ‘test’ për ekipin e Murat Yakin para fillimit të Kampionatit Evropian ‘Euro 2024’, për të parë gjendjen e futbollistëve.

Zvicra do të ketë edhe një ndeshje tjetër para se të marrë rrugë për në Gjermani, pasi pas katër ditësh (e shtunë) do të përballen me Austrinë.

Kujtojmë se Shaqiri me shokë janë të pozicionuar në grupin A në Euro 2024, së bashku me Gjermaninë, Hungarinë dhe Skocinë.

Ndeshja hapëse për Zvicrën në Kampionatin Evropian do të jetë ajo ndaj Hungarisë, e cila do të luhet më datë 15 qershor.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button