Aktualitet dhe Lajme

Vrau veten si pasojë e bullizimit në TikTok/ Kryeparlamentarja Lindita Nikolla për rastin e 41-vjeçares në Durrës: Kuvendi të rishqyrtojë ashpërsimin e legjislacionit për mediat online

Share

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar pas publikimit të ngjarjes së rëndë në Sukth të Durrësit, ku një 41 vjeçare, nënë e katër fëmijëve i dha fund jetës për shkak të bullizimit në platformën TikTok.

Krahas ngushëllimeve për familjen, Nikolla u bën thirrje organeve të drejtësisë të dënojnë shkaktarët.

Ndër të tjera ajo kërkon nga Kuvendi që të rishqyrtojë ashpërsimin e legjislacionit për mediat online.

Postimi i plotë i kryeparlamentares:

Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale. Fëmijët dhe bashkëshorti humbën njeriun e tyre më të dashur, që i kishte thirrur për t’u gëzuar bashkarisht për festat.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’u japin shkaktarëve dënimin maksimal, të merituar.

Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet.

Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale.

Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare.

Ngushëllime fëmijëve, bashkëshortit dhe familjarëve të të ndjerës!

U prehtë në paqe!




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button