Aktualitet dhe Lajme

Vrasja mafioze e Gëzim Sinomatajt në Vlorë, publikon dokumentet sekrete. Zbulohen përplasjet e forta të babait të viktimës me “Faqedjegurin”

Share

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin me snajper në Vlorë, ku Gëzim Sinomataj, djali i një prej anëtareve të bandës së ‘Gaxhait’, i njohur me nofkën ‘Buzëderri’ u qëllua për vdekje në një distancë prej 75 metra.

Në emisionin “Në shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala,Për herë të parë, u publikuan shkresa sekrete, ku flasin për përplasje të forta mes Sokol Sinomataj, babait të viktimës, Gëzim Sinomataj, më të fortin e Vlorës Edison Harizaj i njohur me nofkën ‘Faqedjeguri’.

Pas ekzekutimit të Harizajt në 2018 në Durrës frerët e grupit famëkeq i mori Inez Hajrulla, krahu i djathtë i ‘Faqedjegurit’.

Konflikti mes Inez Hajrulla dhe Bernard alias Spiro Sinomataj, ky i fundit xhaxhai i viktimës, dyshohet të jetë dhe pista kryesore e hetimit.

Pjesë nga dokumentari:

Por pas vrasjes së Edison Harizajt, në vitin 2018 në Durrës, frerët e grupit thuhet se i mori Inez Hajrulla, i cili vijoi përplasjen me Bernard Sinomataj. Hajrulla i cili u ka shpëtuar dy atentateve ndaj tij.

Fillimisht në vitin 2017, ku u vu në qendër të një shpërthimi me eksploziv, vendosur poshtë makinës së tij, ku u dëmtua rëndë në të dyja gjymtyrët.

Atentat që ndodhi në një nga lokalet që frekuentohej nga ‘I tmerrshmi’ i Vlorës në atë kohë, Edison Harizaj, dhe në vitin 2019, kur Inez Hajrulla, u qëllua teksa qëndronte në një kafene në kompleksin ‘Oslo’ në zonën e Lungomares, nga dy makina në lëvizje, të cilat derdhën drejt tij breshëri me plumba.

Por edhe që këtë herë ai mundi t’i shpëtojë një atentati të radhës.

Dosja Hetimore

Inez Hajrulla, i datëlindjes 1992, lindur dhe banues në lagjen ‘Hajro Çakërri’, ka qenë lidhje shoqërore e Edison Harizaj.

Për këtë shtetas ka patur të dhëna për aktivitet në krimet kundër personit dhe pasurisë.

Ai është arrestuar më datë 11 Shkurt 2013, pasi dyshohet se ka kryer vjedhje me dhunë, në një pike bastesh.

Si edhe më 20 Dhjetor 2016, pasi është kapur në flagrancë me armë pa leje.

Më datë 27.Nëntor 2017, në vendin e quajtur rruga ‘Sulejman Delvina’, Vlorë, ky shtetas është tentuar të vritet me eksploziv, pasi ka qenë duke drejtuar mjetin ‘Jeep’ me targa AA 298 SL, ku në këtë mjet është gjetur dhe një armë zjarri pistoletë, që e posedonte pa leje.

Ku nga shpërthimi mori dëmtime në të dyja këmbët.

Dy vite më vonë, në Maj të vitit 2019 në lagjen ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, ky shtetas u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.

Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht shtetasi Dajko Cenodemaj, që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët, pasi u larguan, dogjën automjetin në fshatin Babicë e Vogël.

Por për t’u kthyer te përplasja e tij me Bernard Sinomataj, policia ka dyshime të forta se ky i fundit kishte paguar vrasës me pagesë për të qëruar hesapet me Inez Hajrullan.

Këto dyshime lidhen edhe me arrestimin në muajin gusht të vitit 2023, në qytetin e Vlorës, të shtetasit Amarildo Nikolli, nga Shkodra, por që mendohet se kishte mbërritur në qytetin jugor, pikërisht për të vrarë me pagesë Inez Hajrullan. Vrasje për të cilën ai mendohet se ishte pajtuar nga Bernard Sinomataj.

Dhe që do ta kryente pranë kompleksit ‘Oslo’, aty ku Hajrulla pinte kafenë më së shumti.

Ky fakt u vërtetua edhe më shumë gjatë momentit të arrestimit të 35 vjeçarit, të cilit në momentin e ndalimit nga policia, iu gjet me vete në brez një pistoletë me silenciator.

Dosja Hetimore

Amarildo Nikolli (Xhanej) u arrestua në ambientet e një pastiçerie që ndodhet pranë kompleksit ‘Oslo’ në Vlorë, zonë kjo ku vepron grupi i Edison Harizajt.

Në momentin e arrestimit, në çantë iu gjetën një palë rroba të tjera, arma me silenciator, një kapuç dhe doreza plastike.

Sipas policisë, Amarildo Nikolli kishte marrë të gjitha të dhënat e duhura për Inez Hajrullan, krahun e djathtë të dikur kapobandës Edison Harizajt, apo njohur ndryshe si Edison ‘Faqedjeguri’, si dhe lëvizjet e tij në qytet.

Dhe mesa duket jo më kot ishte përzgjedhur si njeriu që do të kryente eleminimin e tij fizik.

Pasi porositësi i vrasjes së Hajrulla nuk kishte besim për të gjetur një likujdues të tillë, brenda qytetit. Pasi mund të ishte lehtësisht më i identifikueshëm nga shënjestra dhe njerëzit që i qëndronin pranë.

Dhe mesa duket Amarildo Nikolli (Xhanej) i plotësonte më së miri këto kritere. Kjo, jo vetëm pasi ishte i panjohur në qytetin e Vlorës, por kishte edhe një aktivitet të pasur kriminal jashtë vendit.

Dosja Hetimore

Amarildo Nikolli (Xhanej), rezulton me precedentë penalë në Itali. Ai është i përfshirë më herët në trafikun e drogës dhe dyshohet se paratë e krimit i investonte ne pasuri të paluajtshme.

35 vjeçari ra në prangat e policisë italiane në vitin 2011, pas një operacioni të organizuar nga autoritetet për të goditur bandën ku ai bënte pjesë.

Sipas hetimeve, shqiptarët ishin ngarkuar të furnizonin dhe importonin drogën direkt nga Shqipëria.

Po sipas organeve ligjzbatuese në vendin fqinj, Amarildo Nikolli (Xhanej), ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal shqiptar. Këta të fundit paratë që fitonin i investonin në pasuri të patundshme si edhe në sende luksoze, ku dalloheshin për makinat e shtrenjta si edhe për jetën vanitoze që bënin.

Po për t’u kthyer edhe njëherë te atentati mafioz i mbrëmjes së datës 7 janar 2024, ku humbi jetën nipi i Bernard Sinomataj, rivalit të Inez Hajrulla, është me interes të ndjekim edhe itinerarin që ndoqi makina e vrasësve, gjatë largimit të tyre. Makinë e cila u gjet e djegur në lagjen ‘24 Maji’ të qytetit.

Ndërkohë që dëshmitarët rrëfyen për hetuesit se ata dëgjuan dy të shtëna, dhe më pas panë makinën e autorëve që të largohej me shpejtësi, nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, dhe ato Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve, të ngjarjes ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 23 vjeç.

Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip ‘BMË’, në lagjen ‘24 Maji’, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira.

Sipas grupit hetues makina që u përdor në vrasjen e Gëzim Sinomataj, u gjet e djegur 200 metra larg nga stacioni i Trenit, në afërsi të lagjes ‘Çole’.

Por ndjekja e gjurmëve të makinës së krimit, çoi hetuesit edhe në zbulimin se ky automjet ishte raportuar i humbur vetëm tri muaj para se të zhvendosej në Vlorë dhe të ishte në funksion të skemës së krimit që i mori jetën 23 vjeçarit

Dosja Hetimore

Nga hetimet ka rezultuar se automjeti i përdorur nga ekzekutorët e 23 vjeçarit, Gëzim Sinomataj, mbrëmjen e datës 7 Janar 2024, në orën 21.29, është një BMË X5.

Ky automjet rezulton se është vjedhur në qytetin e Shkodrës në muajin tetor të vitit 2023. Dhe se targat e automjetit kanë qenë të dubluara.

Por pse grupi hetues ka dyshime se vrasja e të riut Gëzim Sinomataj, është e lidhur me grupin e Edison Harizaj, i njohur me nofkën Edison ‘Faqedjeguri’ dhe më konkretisht me ekzekutimin e tij në vitin 2018, në qytetin e Durrësit?

Për të hedhur dritë mbi këto dyshime, emisioni ‘Në Shënjestër’ ka siguruar dokumente, të klasifikuara ‘Top Secret’, të cilat tregojnë se si Bernard Sinomataj, xhaxhai i viktimës Gëzim Sinomataj, dhe babai i këtij të fundit, Sokoli, i njohur me nofkën ‘Buzëderri’, janë mbajtur në përgjim nga policia. Ata kanë qenë ndër të dyshuarit kryesorë për atentatin ndaj Edison Harizaj.

I njohur për pamëshirën se si ai ekzekutonte kundërshtarët e tij.

Po kështu në përgjim krahas dy vëllezërve Sinomataj, Bernardit dhe Sokolit, u mbajt edhe Armando Sulejmani, i njohur me nofkën ‘Çipuri’.

Një tjetër personazh i njohur i krimit në Vlorë, të cilit në shkurt 2019, iu bë një atentat ku mbetën të vrarë kunati i tij dhe një shok i tyre i përbashkët.

Ndërsa vetë ‘Çipuri’ mbeti i plagosur rëndë në pritën e organizuar pranë ‘Ujit të Ftohtë’ në qytet, ku u përdorën dy kallashnikovë.

Dosja Hetimore

Më 4 Dhjetor 2019, përmes një shkrese sekret Prokuroria e Durrësit, iu drejtua kompanisë celulare dhe kërkoi të dhënat për komunikimet e disa personave.

Konkretisht, u kërkuan tabulatet e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, si dhe mesazhet e shkëmbyera nga data 1 Nëntor 2018 deri më datë 8 Nëntor 2018.

Të dhënat për vendndodhjen e celularit, emrin e qelizës, gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike, për të njëjtën periudhë.

Lista kryesohej nga emri i Fatmir Myfit Hyseni (Musai) lindur dhe banues në Vlorë, i datëlindjes 29 Korrik 1977, ndërsa pasohej nga Qamil Shurdhi, Spiro (Bernard) Sinomataj, Sokol Sinomataj, Armando Sulejmani i njohur me nofkën ‘Çipuri’, Eljus Thartori dhe Ermaldo Brahimaj.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button