Aktualitet dhe Lajme

Vendimi/ Demokratët i gëzohen vulës, Berisha zyrtarisht kryetar i PD

Share

Trupës gjykuese të Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati iu desh më pak se një orë për të marrë vendim dhe për t’ia kthyer vulën, logon dhe emrin e Partisë Demokratike grupimit të Sali Berishës. Me këtë vendim merr fund saga ligjore që zgjati thuajse 3 vjet dhe për të cilën, Sali Berisha këmbënguli për të mos u tërhequr edhe pse një pjesë e bashkëpuntorëve të tij e këshilluan t’ia lërë Bashës këtë vulën.

Pa logon dhe pa vulën e PD-së, grupi i Rithemelimit i drejtuar nga Sali Berisha është konfirmuar shumicë në dy palë zgjedhje vendore, ato të pjesshmet në Mars 2022 si dhe zgjedhjet e Majit 2023. Pavarësisht rezultateve humbëse, Lulzim Basha këmbënguli për të mbajtur vulën dhe duke përfituar përfaqësimin në komisionet zgjedhore, kohën televizive dhe paratë që ndan KQZ për partitë që marrin pjesë në zgjedhje.

Disa muaj më parë, Basha u braktis edhe nga pjesa më e madhe e deputetëve të grupit parlamentar, përfshirë edhe kreun e grupit, Gazment Bardhit, një lëvizje që delegjitimoi akoma më tej pretendimet e tij për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme me logon e PD.

Disa muaj më parë, mes Partisë Socialiste dhe grupit të Rithemelimit pati një marrëveshje për të ndalur protestën e opozitës në parlament. Rithemelimi pranoi të ndalte protestën duke u kënaqur me 2 nga 8 komisione që kishte kërkuar. Socialistët nuk pranuan në asnjë moment ekzistencën e marrëveshjes, por thanë se thjesht kishin zbatuar ligjin për komisionet hetimore. Pjesë e kërkesave të opozitës ishte edhe mohimi i kërkesave të Lulzim Bashës për kreun e grupit parlamentar të PD dhe përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore.

Në dalje të gjykatës së Apelit, Flamur Noka u shpreh se “..megjithëse në oazin e padrejtësisë, u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës, e cila po zvarritej prej tre vitesh”.

Pas dhënies së vendimit për vulën, demokratët festuan me fishekzjarre në selinë e PD-së, ndërsa mes deputetëve ka pasur entuziasëm. Megjithatë në mesazhin e Sali Berishës ka pasur thirrje për bashkim, edhe pse nuk ka pasur një ftesë direkte për Lulzim Bashën.

“Dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rrethe Flamurit te pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama” u shpreh Berisha në mesazhin e tij.

Pas këtij vendimi, Lulzim Basha mbetet pa një plan B. Ndërsa Berisha krijoi “Shtëpinë e Lirisë” duke përdorur infrastrukturën e Partisë së Lirisë në zgjedhjet e kaluara, Lulzim Basha ka pasur për tre vite vulën, logon dhe emrin e PD-së. Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Lulzim Basha mblodhi mbështetësit e tij dhe tha se “beteja do të vazhdojë”.

“Kjo është një betejë shpirtrash për idealet e demokratëve. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton më shumë. Do të bëjmë gjithçka qe kemi në dorë, të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë” u shpreh Basha./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button