Aktualitet dhe Lajme

Ujërat e zeza rrezikuan mozaikun e rrallë në Durrës, një javë pas denoncimit ndërhyn autoboti për të pastruar zonën

Share

Një javë, pas denoncimit të situatës për praninë e ujërave të zeza, një autobot i ujësjellës kanalizimeve të Durrësit është futur këtë të enjte brenda kantierit të pezulluar të ndërtimit të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës.

Prej disa javësh, ujërat e zeza kanë mbuluar hapësirën e kthyer në një sit të rëndësishëm ku së shpejti pritet të nisin gërrmimet arkeologjike për zbulimin e plotë të mozaikut të rrallë dhe pjesëve të tjera të një vile luksoze antike së cilës ai i përket. Pasi kanë marrë miratimin e autoriteteve arkeologjike, shoqëria rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka kryer hapjen e pusetave të bllokuara nga dherat, por jo largimin e ujërave të zeza, prania e të cilave vazhdon të rrezikojë mozaikun e rrallë floreal dhe gjetjet e tjera arkeologjike të zbuluara gjatë kohës kur po hapeshin themelet për ndërtimin e gjimnazit të dëmtuar nga tërmeti. Ky veprim konsiderohet një hap i parë ndërkohë që në këtë kantier të pezulluar pune për t’i hapur vend gërmimeve arkeologjike duhet të tërhiqen ujërat e ndotura që vazhdojnë të mbulojnë territorin ku do të gërmohet. Ato janë jo vetëm një rrezik për mozaikun e rrallë, po dhe një vatër ndotjeje për banorët e zonës përreth gjimnazit.

Për shkak të bllokimit të pusetave nga dherat dhe rrjetit të amortizuar, ujërat e zeza ndodhen mbi një nga mozaikët më të rrallë të zbuluar ndonjëherë në vendin tone. Mozaiku i punuar me gurë ngjyrë blu dhe bezhë u zbulua tetorin e kaluar në një thellësi prej 6 metrash, gjatë hapjes së themeleve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Sipas arkeologëve, ai i përket shekullit të I-II të erës sonë, ndërsa vetë siti përfshin edhe gjetje të periudhave më të hershme, që dëshmojnë dhe nivelin e lartë të jetesës në qytetin e lashtë në fillim të erës së re. Pas zbulimit, punimet për ndërtimin e shkollës u ndërprenë, në pritje të kryerjes së tenderit për gërmimet arkeologjike.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli kombëtar i trashëgimisë kulturore materiale vendosi t’i hapë rrugë gërmimeve arkeologjike nga një subjekt privat i licencuar në arkeologji, gërmime që do të financohen nga Bashkia e Durrësit. Gërmimet pritet të nisin së shpejti pas fitimit të tenderit nga subjekti i licencuar për to, por prania e ujërave të zeza duhet të zgjidhet më parë në mënyrë që të nisë puna e kualifikuar për nxjerrjen në dritë të pjesës tjetër të mozaikut dhe gjetjeve të tjera në këtë sit të ri. Që pas pezullimit të punimeve për ndërtimin e gjimnazit, autoriteti kombëtar i trashëgimisë kulturore detyron subjektin privat fitues dhe bashkinë e Durrësit të marrin masa për konservimin paraprak të gjurmëve të mozaikut, ndërsa gërmimet duhet të mbikëqyren nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button