Aktualitet dhe Lajme

Sot 24 vjet nga nata e tmerrit në veri të Mitrovicës ku u vranë 10 shqiptarë

Share

Sot mbushen plot 24 vjet nga masakra në natën mes 3 e 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, ku “Rojat e urës” vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Atë kohë, KMLDNJ kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Plaku 85 vjeçar, Shaip Canhasi nga Mitrovica, i cili jeton i vetmuar prej kohës kur ia vranë gruan, rrëfen për ngjarjen e asaj nate.

Ai ndjehet i mërzitur, përton të flasë, sepse preket shumë, përjeton rëndë dhe nuk dëshiron të kujton atë natë tmerri.

Megjithatë, mes lotëve kujton momentin trishtues kur duke parë bashkëshorten e vrarë, humb ndjenjat dhe i bie të fikët.

“Pa prit pa kujtu na ndodhi ajo… Nëntë veta kanë qenë, nëntë plumba, nga të cilat dy i kishte pasur bashkëshortja…E thyen derën, pse s’po dilni ju shqiptarët prej këtu… Unë kam qenë me bashkëshorten dhe një polic nga Jordania, i cili ka jetuar me qera te unë… Shkuan ata, e morëm bashkëshorten me fut brenda, unë u rrëzova, më ra të fikët nga trishtimi… Natë e tmerrit ka qenë dhe e kemi ditë se do të ndodhë diçka… Jam mërzitur… Goxha vështirë qenka. Jam i vetmuar, askush nuk ma hap derën me më pa qysh jam. Po duhet vetëm me shku me marrë barrëra, te mjeku”, ka thënë Canhasi, për KosovaPress, duke shtuar se drejtësia nuk ka punuar sa duhet në këtë drejtim.

Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, tha se është i rëndë kujtimi i kësaj masakre.

Sipas tij, ka pasur shumë masakra në Kosovë, por pas luftës kjo është e para dhe e vetmja e cila është kryer në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut.

Ai përmend disa nga emrat e autorëve të kësaj masakre, siç janë: Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq, ndërsa thotë se KMLDNj, Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka bërë kallëzime penale ndaj 12 kriminelëve në Mitrovicë, mirëpo siç u shpreh ai, deri sot janë marrë në pyetje vetëm 4 prej tyre.

Barani ka potencuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë deri sot për veriun dhe shqiptarët atje.

“Ka pasur shumë masakra në Kosovë, por pas luftës kjo është e para dhe e vetmja e cila është kryer në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut… Kriminelë, çetnikë serbë, kanë vrarë 10 shqiptarë brenda në shtëpitë dhe banesat e tyre, jo rrugëve… Është Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq. Momentalisht të tjerët nuk po më kujtohen, i kam të shënuara… KMLDNJ – Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka bërë kallëzime penale për 12 kriminelë në Mitrovicë, mirëpo deri më sot janë marrë në pyetje vetëm 4 prej tyre…Qeveria dhe institucionet e Kosovës absolutisht nuk kanë bërë asgjë deri sot për pjesën e okupuar të qytetit sepse shqiptarët të cilët jetojnë edhe sot në atë pjesë të qytetit, vazhdimisht jetojnë në ankth të asaj se çka do t’iu ndodhë gjatë natës apo ditës”, theksoi Barani.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button