Si bulqizaku mori peng për 3 orë drejtorin zyrës arsimore: Më kthe gruan në punë ose të vrava!
Janë zbardhur detaje nga pengmarrja e ndodhur ditën e djeshme në Bulqizë, qarku Dibër ku u mbajt me forca në një makinë, drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit në këtë bashki.
Burimet bëjnë me dije se zyrtari, Kujtim Kërkuti është marrë peng përreth tri orë gjatë ditës së djeshme dhe është kërcënuar me vdekje.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është shtetasi, Aleksandër Murra, banor i Shupenzës. Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Fushë Bulqizë-Peshkopi, teksa Murra e ka mbajtur Kërkutin për afro tri orë në mjetin e tij. Shkak për ngjarjen e rëndë është bërë largimi nga puna i bashkëshortes së Murrës.
Ky i fundit e ka konsideruar të padrejtë vendimin e drejtorit të ZVA-së Bulqizë dhe i ka kërkuar më forcë rikthimin në punë të bashkëshortes.
Një zyrtar i Komisariatit tha se sapo Kërkuti ka dalë nga automjeti i 29-vjeçarit, ka shkuar pranë Komisariatit të Policisë së Bulqizës, duke bërë denoncimin dhe duke kërkuar mbrojtje nga shteti.
Drejtori pretendon se mbajtja peng, kërcënimet dhe presionet janë të papranueshme dhe vendimi i marrë nga ana e tij është komfor ligjit.”
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u arrestua në flagrancë shtetasi Aleksanër Murra, 29 vjeç, banues në Shupenzë, pasi shtetasi Kujtim Kërkuti, 52 vjeç, me detyrë përgjegjës i Zyrës Arsimore Bulqizë, ka bërë kallëzim se 29-vjeçari e ka kanosur dhe e ka mbajtur në automjet, pa dëshirën e tij, me qëllim që t’i rikthente familjarët e tij në vendet e punës”, thanë burime pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë, shkruan panorama.
Mësohet se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”.
Drejtori i Arsimit Bulqizë, Kujtim Kërkuti, nuk ka pranuar të prononcohet për mediat dhe është larguar drejt Tiranës për të shmangur ndonjë ngjarje tjetër.