
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur tenderin me fond limit 491 milionë lekë për ndërtimin e segmentit që do të lidhë Unazën Verilindore me Rrugën e Arbrit, në zonën e rrugës “Myslym Keta”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur procedurën e prokurimit për ndërtimin e një segmenti të ri rrugor që do të krijojë lidhjen mes Unazës Verilindore të Tiranës dhe Rrugës së Arbrit. Fondi limit i tenderit është 491 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro, ndërsa projekti synon të përmirësojë qarkullimin në pjesën verilindore të kryeqytetit.
Ndërhyrja do të realizohet në zonën ku kalon rruga “Myslym Keta”, në Njësinë Administrative nr. 4, e cila kufizohet me rrugën “Aleksandër Moisiu” dhe lidhet drejtpërdrejt me Rrugën e Arbrit.
Segmenti ekzistues ka nevojë për rikonstruksion
Sipas raportit teknik, aksi që do të rehabilitohet ka një gjatësi prej rreth 3 kilometrash dhe një gjerësi ekzistuese nga 7 deri në 10 metra. Megjithëse rruga është e asfaltuar, në disa segmente janë evidentuar çarje, gropa dhe dëmtime të shtresës asfaltike.
Raporti evidenton gjithashtu se trotuaret janë të amortizuara dhe në disa pjesë nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për lëvizjen e këmbësorëve. Ndriçimi publik mungon në një pjesë të konsiderueshme të aksit, ndërsa rrjeti ekzistues i kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza konsiderohet i vjetëruar dhe me kapacitet të pamjaftueshëm gjatë reshjeve intensive.
Rruga do të zgjerohet dhe do të pajiset me ndriçim LED
Zgjidhja teknike parashikon një rrugë me gjerësi kaluese prej 12 metrash, të ndarë në dy korsi nga 6 metra secila, si dhe një ndarëse qendrore me gjerësi 1 metër.
Në të dyja anët e aksit do të ndërtohen kuneta me gjerësi 0.5 metra dhe trotuare me gjerësi 2 metra. Projekti përfshin rehabilitimin e plotë të shtresave rrugore, rikonstruksionin ose ndërtimin e trotuareve dhe instalimin e një sistemi të ri ndriçimi publik me teknologji LED përgjatë gjithë segmentit.
Punimet do të përfshijnë gjithashtu rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, elemente për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe ndërhyrje për gjelbërimin dhe mobilimin urban.
Vlera e investimit
Sipas preventivit paraprak, kostoja totale e ndërhyrjes në rrugën “Myslym Keta” llogaritet në rreth 672 milionë lekë me TVSH. Ndërkohë, fondi limit i tenderit të shpallur nga ARRSH është 491 milionë lekë.
Dokumentacioni teknik parashikon edhe organizimin e punimeve dhe menaxhimin e trafikut gjatë fazës së ndërtimit, me synimin që ndërhyrja të realizohet duke minimizuar ndikimin në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve të zonës.
Burimi: www.acp.al