Lajme nga Dibra

Shqipëria prodhoi 920 mijë tonë krom në vitin 2023, minierali kryesor edhe për leje shfrytëzimi

Share

Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Kromi vazhdon të jetë minerali më i rëndësishëm në Shqipëri, duke mbajtur rekordin për numrin më të madh të lejeve të shfrytëzimit dhe për sasinë e prodhuar.

Sipas raportit të përvitshëm të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Shqipëria prodhoi 920 mijë tonë krom gjatë vitit të kaluar, kryesisht për eksport, transmeton revista “Monitor”.

“Shqipëria ka një potencial të rëndësishëm në prodhimin e kromit, duke u dalluar ndër vendet mesdhetare dhe ballkanike,” thuhet në raport.

Deri më 31 dhjetor 2023, në aktivitetin minerar të kromit ishin aktive 236 licenca shfrytëzimi. Bulqiza kishte rreth 120 leje aktive, ndjekur nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi.

Raporti gjithashtu thekson se depozitat kryesore të kromit ndodhen në Ofiolitet e zonës së Brezit Lindor, në drejtim Tropojë-Kukës-Bulqizë-Shebenik-Pogradec. Në Ofiolitet e brezit perëndimor është identifikuar më pak zhvillim në depozitat e kromit.

Nga këndvështrimi gjeologjik, ekzistojnë tre rajone kryesore ku gjendet xeherori i kromit:

– Rajoni Verilindor (Masivi Ultrabazik i Tropojës dhe Kukësit)

– Rajoni Qendror (Masivi Ultrabazik i Bulqizës dhe Lurës, më i rëndësishmi)

– Rajoni Juglindor (Masivi Ultrabazik Shebenik-Pogradec)

Në vitin 2023, ishin aktive gjithsej 552 leje shfrytëzimi, kryesisht në Bulqizë, Krujë, Berat, Tiranë dhe Librazhd. Pas kromit, minerali me numrin më të madh të lejeve aktive ishte guri gëlqeror, me 137 leje.

Raporti i AKBN nënvizon rëndësinë e industrisë së kromit për ekonominë e vendit dhe thekson nevojën për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button