Aktualitet dhe Lajme

Shefat me SKY ECC/ Si u shndërruan policët në ushtarë të Krimit!

Share

Me mesazhet e përftuara nga aplikacioni SKY ECC krijohet një hartë për gjeografinë e krimit në Shqipëri, madje mund të përcaktohen edhe zonat ku forca e krimit i mbivendoset vullnetit të Policisë së Shtetit. Sepse në jo pak raste, mesazhet e SKY tregojnë llumin ku është zhytur policia shqiptare sot.

Në mesazhet e SKY ECC nuk flitet për ryshfetin e zakonshëm me pak lekë të policëve të qarkullimit, as për ndonjë shkelje të rëndomtë ku polici i thjeshtë bën një sy qorr e një vesh shurdh për një grusht me para. Në to bisedohet për organizimin e vrasjeve nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, ku shefat e policisë japin një ndihmë duke dhënë informacione sekrete. Flitet për parcela me kanabis, ku shefat e policisë qëndrojnë si mburojë dhe shqetësohen bashkë me trafikantët se po policë të tjerë po vijnë dhe po ua shkatërrojnë. Flitet në këto mesazhe edhe për kazino të fshehta apo për informacione sekrete që i vihen në dispozicion njërës bandë në dëm të bandës tjetër.

Implikimi i uniformave blu në krim është alarmant. Mesazhet në SKY ECC tregojnë se tradhtia vjen nga kupola drejtuese, njerëz që i japin policisë fytyrën e një bishe që ka dalë jashtë kontrollit.

Klodian Shahini, bashkëpuntor në shpërthimin shkatërrues në Tiranë

Shpërthimi i makinës tip Benz në urën tek Nisharaku në Tiranë katër vite më parë nuk është i vështirë të sillet ndërmend. Sepse ndodhi në pikun e lëvizjes së kalimtarëve dhe makinave në këtë zonë, përgjatë një pasditeje të ngrohtë shtatori, që ruhet ende e freskët në kujtesën e banorëve të zonës.

Pamjet e një njeriu që gulçonte nga dhimbjet brenda gjysëm-makinës të shkatërruar morën brenda pak sekondash vëmëndjen e opinionit. Emri i burrit që i mbijetoi atentatit ishte Preng Gjinit, një 50-vjeçar nga Mirdita, që tërhiqte pas vetes zinxhirin e hakmarrjes me fisin Reçi.

Menjëherë u rihapën arkivat e vrasjeve mes dy fiseve të Mirditës për ta shpjeguar atentatin me përmasat e një akti terrorist. Intuita e gazetarëve nuk ishte e gabuar. Përgjimet e SKY ECC në dosjen që disponon Lapsi.al konfirmojnë pikërisht atë që raportuan edhe gazetarët asokohe, që shpërthimi ishte ndëshkim për të vrarët në anën e fisit Reçi, më konkretisht organizimi i atentatit ishte kryer nga Elson Reçi që bazuar në mesazhet e SKY ECC, u hidhërua tej mase kur Preng Gjini i mbijetoi dy kallëpeve me tritol që i shpërthyen nën kroskotin e makinës.

Por ajo që nuk dihej në atë kohë ishte se Elson Reçi kishte edhe njeriun e tij në polici që e ndihmoi për të kryer atentatin. Klodian Shahini, në atë kohë ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Ai është vetëm një nga policët e zbuluar në përgjimet e SKY ECC, që veshi uniformën blu thjesht si kamuflim, sepse në të vërtetë qëndroi në shërbim të krimit.

Nga dosja e SPAK, që Lapsi.al e ka lexuar thuhet se Klodian Shahini ishte kushëri me organizatorin e atentatit, Elson Reçin.

“I kam bo llogaritë e mia. Do sakrifikoj vetë për pjesën tjetër të familjes. Unë e kam vendin brenda katër mureve” shkruan Elson Reçi në SKY ECC në një moment sinqeriteti, duke pranuar fatin e tij si ushqim për gjakmarrjen me fisin tjetër të Mirditës. Dhe në këtë mision, kushëririn e tij Klodian Shahini e ka në krah.

Në dosjen e SPAK janë disa momente kur shefi i policisë së Lezhës, Klodian Shahini përdor sistemet e Policisë së Shtetit për të verifikuar mjetet që i duhen Elson Reçit. Ai kontrollon vazhdimisht makinat me të cilat lëviz objektivi i tij dhe përdor SKY ECC për të komunikuar me Klodian Shahinin. Në disa  raste, thuhet në dosje, ai thjesht dërgonte foton e një makine dhe Klodian Shahini e verifikonte pa pasur nevojë t’i thoshte asnjë fjalë, por i dërgonte të dhënat e makinës.

Ishte kjo mënyra me të cilën Preng Gjini u lokalizua. Kështu u gjetën mjetet me të cilat ai lëvizte për t’i vendosur më pas tritolin që shpërtheu tek ura e Nisharakut në Tiranë.

Bashkëpunimi për atentatin ndaj Gjinit ishte vetëm një anë e medaljes. Puna kryesore e Klodian Shahinit ishte të manipulonte të dhënat për parcelat me kanabis, megjithëse ai drejtonte Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Lezhë.

“Elsoni shërben si ndërmjetës i Klodian Shahinit me personat që kultivojnë lëndë narkotike për të dhënë informacione në rast se policia organizon operacione për gjetjen dhe prishjen e parcelave apo edhe për t’i dhënë mbrotje atyre në zonë” thuhet në dosjen e SPAK.

Ky rol ilustrohet me disa biseda ku bie në sy se Klodian Shahini i bindet plotësisht grupeve kriminale, madje në valle fut edhe shefin e tij, Henerigert Mitri, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Policisë Lezhë. Së bashku bien dakort të fshehin filmimet me dron mbi parcelat me kanabis apo të njoftojnë kultivuesit e kanabisit për itinerarin e helikopterit të Guardia di Finanza, gjithnjë duke i servirur informacione mbi targat e mjeteve dhe hyrje-daljet në TIMS për shënjestrat e bandave.

Ushtari i Pëllumb Gjokës, Drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri

Henerigert Mitaj, ish drejtor i policise se Lezhes
Henerigert Mitaj, ish drejtor i policise se Lezhes

Biznesmeni Pëllumb Gjoka që është arrestuar gjatë aksionit të parë të SPAK në bazë të përgjimeve të SKY ECC rikthehet në skenë edhe në dosjen e dytë falë aftësive të tij për të rekrutuar policët në punët e tij. I tillë është rasti i Drejtori i Lezhës, Henerigert Mitri. Ky i fundit nuk i ka rezistuar ofertës për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh në lidhje me një kazino të vogël, me rreth 20 kompjutera që Pëllumb Gjoka e kishte përshtatur në Lezhë.

Por kur një oficer i Drejtorisë Hetimore, i quajtur Gentian Ndoji i futet në kazino, arreston menaxherin dhe sekuestron kompjuterat, për Henerigert Mitrin, që kishte dalë garant mbi ecurinë e biznesit, dalin probleme.

“Drejtor tjetri” habitet Oltion Bistri ish-shef i operacionales, kur e njoftojnë çfarë kishte ndodhur me biznesin fitimprurës të Pëllumb Gjokës në Lezhë. Vetë Bistri ishte garant për kazino të tjera të Gjokës dhe para se të merrte përsipër një punë, gjithnjë konsultohej paraprakisht me shefat e tij.

“Pajisjet janë kapur dhe “Gerti” nuk duhet t’i kishte dhënë siguri Pëllumbit në zhvillimin e këtij aktiviteti nëse nuk ka pasur dakortësinë e eprorëve” shkruhet në dosjen e SPAK, një përmbledhje e këshillave që jep Oltion Bistri.

Henerigert Mitri përveç të tjerash përshkruhet në mesazhet e SKY ECC edhe si “I madhi” falë rolit që kishte ai si drejtues i policisë së Lezhës. Sigurisht që garancia për vetëm një kazino ishte shumë pak për një drejtor.

Mitri ka bërë çmos bashkë me Klodian Shahinin, drejtorin e antitrafiqeve në Lezhë për të shpëtuar parcelat me kanabis. Por megjithë përpjekjet që bëjnë për të shmangur kontrollet në zonat e mbjella me kanabis, në fund duket se Henerigert Mitri dështon dhe nuk arrin të sigurojë punët që ka marrë përsipër pasi policët “nga Tirana” vinin dhe u prishnin punë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg” dhe e akuzon për “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.

Ushtari i Durim Bamit, efektivi i RENEA-s Altin Morina

Gati një vit më parë, Altin Morinën me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA e kapën në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me një mjet luksi. Brenda në makinë iu gjetën 113 mijë euro, që efektivi i RENEA-s e kishte të vështirë t’i justifikonte.

Lajmi kaloi tangent në media dhe teoritë konspirative për lëvizjet e 43-vjeçarët nuk ngjitën shumë, për t’u harruar brenda pak ditës. Por në dosjen e SPAK për mesazhet e SKY ECC, Altin Morina rikthehet si ushtar i vrasësit me pagesë, Durim Bami.

Në kapitullin ku pasqyrohen komunikimet e Durim Bamit me Endrit Doklen dhe Xhelal Rrajën, del edhe emri i Altin Morinës.

Fillimisht ai është i shqetësuar për mikun e tij Durim Bami, të cilit i thotë se i ka shkruar 100 herë, por nuk ka marrë përgjigje. Më pas, të dy bisedojnë për lëvizjet e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Tiranë, Arben Ndoka.

Morina duket i gatshëm të ndihmojë me ç’të mundet, informacion, ndërhyrje dhe këshilla të veprimeve që ai i njeh mirë, si për shembull metodat për t’iu ruajtur përgjimeve ambjentale të policisë. Disa herë ai e këshillon Durim Bamin të ruhet dhe të urdhërojë njerëzit e tij të mos flasin shumë sepse me gjasë janë në përgjim.  Ai është i gatshëm të krijojë kontakte me shefin e komisariatit nr.2 në Tiranë, që prokurorët e SPAK kujdesen të përcaktojnë se ka qenë në detyrë gjatë kohës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Ish-shefi i Krimeve Ardit Hasanbegaj, ushtar i Pëllumb Gjokës

Shefi i krimeve në Shkodër, Ardit Hasanbegaj ka qenë një nga personat e rekrutuar nga Pëllumb Gjoka dhe që është zbuluar nga mesazhet e dosjes “Metamorfoza 1” Pas vrasjes së Gjin Boriçit në 9 Gusht 2020, Gjoka e urdhëron shefin e krimeve të mos merret me zbulimin e vrasjes, ndërsa i kërkon informacion për një nga shënjestrat e tij, pjesë e grupeve kundërshtare, Dorian Dulin.

Lexoni më poshtë se çfarë shkruhet në dosjen “Metamorfoza 1”

“Në orën 14.49 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardit Hasanbegaj.

Pëllumbi e pyet se, cfarë ishte ajo e mbrëmshmja (vrasja e Gjin Ndoj).

Ardriti i përgjigjet që, nuk e di, paska qenë me hasmëri, për punën e një vëllait, plus paska qenë kollarexhi.

Pëllumbi e pyt që, si duket si dorë?

Ardriti i përgjigjet që, ka punuar mirë kopili dhe si duket kanë qenë dy ose më shumë. Të vështirë do e kemi por besoj do të nxjerrim dicka.

Pellumbi i thotë që, lëreni në kollaren e vet.

Në orën 17.09 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardrit Hasanbegaj dhe ky i fundit e pyet nëse, ky e njihte DD sepse vëllai i ktij ka takuar Dor Dulin.

Pëllumbi i shprehet që, këta të vrasin dhe të vijn edhe me u pjek.

Pëllumbi i shkruan Arditit nëse, ke info për Dorin më thuaj”

Konfirmohet nga bisedat se ish-shefi i Krimeve të Shkodrës, Ardit Hasanbegaj i shërbeu bandës së Bajrave edhe për kërkimet e Ibrahim Licit, që ishte shënjestra e tyre kryesore në Shkodër. Madje familja Lici u vu në përgjim për komunikimin me Ibrahim Licin dhe informacionet e policisë kalonin direkt tek banda kundërshtare që kërkonte vrasjen e tij. Pasi biznesmeni Pëlumb Gjoka gjen numrin e celularit të Ibrahim Licit, ia kalon këtë shefit të krimeve që e vë në përgjim dhe i raporton:

“Atij nuk i ka dalë asnjëherë në valë antenna, vetë aty në shtëpi dhe është i vëllai se e njeh në zë ai lart (operatori i përgjimit), i njeh si shtëpi, ua njeh zërat.

Arditi në vazhdimësi i tregon Pëllumbit që “Dori ka qenë në Tiranë dje, më tha ai shoku, ka takuar një zyrtar. Jo në “pol”, por nuk e ka thënë si emër, një zyrtar se i ka kërkuar takim, më tha shoku. Pëllumbi shprehet që “do ketë takuar ndonjë nga lsi”.

Oltion Bistri, ish shefi i policisë, ushtar i Pëllumb Gjokës

Oltion Bistri është ndër oficerët më të lartë të goditur nga Metamorfozat. Në momentin kur u arrestua, ai sapo ishte shkarkuar nga detyra si shef i Forcave Operacionale. Më herët kishte qenë drejtor policie në Lezhë, Durrës dhe shef i komisariatit nr.2 në Tiranë.

Disa ditë më parë SPAK i sekuestroi miliona euro pasuri, mes të cilave 22 dyqane, 10 apartamente, një vilë, një sipërfaqe tokë truall dhe një garazh. Gjatë përgjimeve të SKY ECC, kuptohej se Bistri kishte dalë garant për kazinotë e Pëllumb Gjokës në Tiranë në këmbim të ryshfetit.

“Më datë 25.11.2019 ora 03.17 shtetasi Pellumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DB7ED1 i identifikuar si Oltian Bistri. Ky i fundit i shkruan, ai tek xhevo kishte thène, ka 25 kompjutera dhe nje ruletë. Ju kish thene do e filmoj tjua sjell edhe dua I miljon lek për informacionin. E gjen dot cili eshte? Sma tha dr. Se ai ma tha para se te ikja, kish merak e para se te ikja ne Gjermani me takoj. Duhet kujdes pak se drejtori eshte trembur. I thash per njërin qe donte te fuste tre copè dhe kishte frike”, shkruhet në dosje për komunikimin mes Bistrit dhe Pëllumb Gjokës.

Byroja Kombëtare e Hetimit, strukturë paralele me policinë e shtetit

Zbardhja e komunikimeve me SKY ECC ka zbuluar se policia e shtetit është infektuar deri në nivelet më të larta në bashkëpunimin që ka me krimin. Nga mesazhet e SKY ECC kuptohet se nuk janë policët e thjeshtë ata që i shërbejnë krimit, por janë drejtuesit e policisë që shndërrohen në ushtarë të grupeve kriminale.

Prandaj dhe në SPAK, duket se besimi tek policia është i ulët. Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pranoi disa javë më parë se ka çështje për të cilat e ka të pamundur të punojë me policinë, ndaj zgjedh të punojë vetëm me Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në” u shpreh Dumani.

Pavarësisht kësaj deklarate, rezultatet kanë qenë jo të kënaqshme. Operacionet e ekzekutimit të arrestimeve të dosjeve Metamorfoza 1 dhe 2 kanë qenë një dështim. Banditët kryesorë të episodeve kriminale janë larguar në kohë dhe nuk janë arrestuar./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button