Aktualitet dhe Lajme

Sarandë-Ksamil, Kumbaro: Policia bashkiake të jetë e rreptë me ata që ndotin. S’ka tolerancë kur bëhet fjalë për fytyrën e Shqipërisë

Share

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të tureve inspektuese në bregdet, u ndal në Sarandë, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Oltion Çaçi, ku theksoi se këtë sezon beteja është më e vështirë për shkak të flukseve të larta turistike, prandaj kërkoi angazhimin e policisë bashkiake dhe të gjitha strukturave të pushtetit lokal 24 orë në 24 për mbarëvajtjen e sezonit veror.

“Po bëjmë një punë të madhe përgatitore me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Bashkinë e Sarandës për të organizuar gjithë sezonin bregdetar që është edhe pjesa më e vështirë e këtij viti. Mendoj që ka ardhur koha që policia bashkiake të luajë rolin që i takon për mirëmbajtjen e mjedisit duke ushtruar monitorim, kontroll, por edhe ndëshkim. Nuk do t’ia dalim dot nëse nuk kemi bashkëpunimin e të gjithëve, por edhe nëse nuk tregohemi të rreptë me marrjen e masave. Nuk ka tolerancë këtu, sepse është fytyra jonë, është fytyra e Shqipërisë”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se këtë vit sfida me mbetjet dhe inertet do të jetë më e madhe në të gjithë vendin.

“Është sfida jonë në të të gjithë Shqipërinë. Kemi tre vite që e themi që Shqipëria është çdo ditë e më e pastër, por unë besoj që sfidën më të madhe do ta kemi për shkak të fluksit turistik. 10.1 milionë turistë pritëm vitin e kaluar dhe kemi qenë në një betejë me çdo kosh, me çdo qese dhe sidomos me inertet.”

Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Bregdetit që do të mbështesë bashkinë e Sarandës në menaxhimin e mbetjeve gjatë muajve të pikut të sezonit, nga data 15 qershor deri më 15 shtator, duke dyfishuar kapacitetet pastruese të Sarandës.

Më tej, ministrja Kumbaro inspektoi një prej plazheve të Kasmilit, ku ka përfunduar gjithë procesi i organizmit të stacioneve të plazhit, duke u ndalur tek rëndësia e administrimit të zhurmave gjatë periudhës së pikut, nisur nga fakti që plazhet janë populluar që prej fillimit të muajit maj dhe flukset parashikohen 40% më të larta se një vit më parë.

“Hartëzimi i zhurmave në territorin e bashkisë është shumë i rëndësishëm për të përcaktuar ku mund të ketë aktivitete që mund të lejohet muzika edhe gjatë natës dhe ku duhen respektuar oraret dhe deicibelët.

Kemi kërkuar edhe nga Policia e Shteti që ka kompetencën kryesore gjatë sezonit turistik për muzikën e lartë dhe zhurma, por edhe bashkive që të pajisen me mjetet matëse të akredituara të zhurmës. Policia duhet të jetë në territor të siguruar këtë ekuilibër të bashkëjetesës midis familjarëve dhe dëshirës së të rinjve për ambiente me muzikë”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro do të vijojë me inspektimet në Vlorë dhe bashkitë e tjera bregdetare me qëllim monitorimin dhe komunikimin për garantimin e standardeve për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror./m.j


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button