Roma shpëton një pikë në fundin dramatik të ndeshjes me Fiorentinën
Roma ka barazuar 2-2 në udhëtim te Fiorentina në kuadër të javës së 28-të në Serie A, në një fund dramatik të ndeshjes.
Pas 18 minutash lojë, Luca Ranieri kaloi Violan në epërsi, kur u asistua prej Gonzalez.
Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, përkundër se dy skuadrat kishin raste të mira shënimi.
Në 45 minutat e dytë, Giallorossët filluan të tregonin më shumë nga loja e tyre, por që fundi ishte dramatik.
Houssem Aouar i barazoi shifrat në 1-1 kur shënoi në minutën e 58-të.
Mirëpo, Fiorentina nuk u dorëzua dhe ia doli të rikthente epërsinë, kur shënuan me anë të Rolando Mandragora (69’).
Për të bërë ndeshjen më dramatike u përkujdes Diego Llorente, që i barazoi shifrat në 2-2, kur realizoi në minutën e 90+5-të.
Pas javës së 28-të, Roma mbetet në vendin e pestë me 48 pikë, ndërsa në xhiron e 29-të takohen me Sassuolon. /Telegrafi/