




Deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Sipas projektligjit, Shqipëria do të ketë 46 bashki dhe 12 qarqe. Aktualisht vendi është i organizuar në 61 bashki dhe 12 qarqe.
Propozimi u është përcjellë gjithashtu kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë, me qëllim vijimin e konsultimeve për ndryshimet e parashikuara në organizimin e pushtetit vendor.
Sipas modelit të propozuar, bashkia do të mbetet e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Risia kryesore e reformës është krijimi i një niveli të ri organizimi brenda bashkive: “Qyteti”. Ky model synon të zëvendësojë skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me një strukturë të re: “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Sipas mazhorancës, krijimi i këtij niveli të ri vjen si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave publike, rekomandimeve të ekspertëve dhe nevojës për një përfaqësim më të mirë vendor.
Sipas PS, “Qyteti” do të ketë rol më të përcaktuar në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve publike, ndërsa do të ketë edhe një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
Start News