Stuhia ekstreme i afrohet Nju Jorkut, anulohet për herë të parë në histori parada e Ditës së Falenderimeve

Share

Nju Jorku e ka shtyrë paradën ikonike të “Macy’s” për Ditën e Falënderimeve për të shtunën, për shkak të frikës nga moti ekstrem, një rast i paprecedentë në historinë 100-vjeçare të këtij eventi, ndërsa një stuhi e fuqishme po forcohet përgjatë Bregut Lindor të SHBA-së.

Stuhia e fuqishme, e njohur si “nor’easter”, kërcënon të prishë planet e miliona njerëzve që udhëtojnë gjatë periudhës së festës së të enjtes, e cila është një nga periudhat më të ngarkuara të vitit për udhëtime në vend.

“Duke qenë se pritet mot i rëndë në Ditën e Falënderimeve, dhe për hir të një kujdesi të shtuar, në bashkëpunim me Bashkinë, parada e 100-të e ‘Macy’s’ për Ditën e Falënderimeve do të shtyhet,” deklaroi kompania “Macy’s” për agjencinë “Agence France-Presse”

Ndryshimi i datës ka ngritur pyetje lidhur me mijëra pjesëmarrës në paradë, përfshirë muzikantë dhe stafin teknik, të cilët kishin bërë përgatitjet e nevojshme për paradën e së enjtes.

“Ekipi ynë po punon aktualisht për të zgjidhur logjistikën komplekse operacionale që kërkohet për të realizuar paradën të shtunën,” njoftoi kompania.

Në paradën vjetore, tullumbace me ngjyra të ndezura përshkojnë rreth 2,5 milje përmes zemrës së Manhatanit, deri te dyqani kryesor i “Macy’s” në “Herald Square”, në Rrugën e 34-t. Miliona njerëz mblidhen zakonisht për të parë festimet. Kjo është hera e parë në historinë e këtij aktiviteti që ai shtyhet. Ai ishte anuluar për tre vjet: 1942, 1943 dhe 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo do të jetë një stuhi e fuqishme. Presim erëra të vazhdueshme me shpejtësi nga 30 deri në 40 milje në orë, ndërsa janë të mundshme edhe shpërthime ere që mund të arrijnë nga 60 deri në 65 milje në orë,” – deklaroi kryetari i bashkisë, Zohran Mamdani, gjatë një takimi informues mbi sigurinë të mërkurën.

Pjesa më e rëndë e stuhisë pritet të godasë më vonë gjatë së enjtes, kur erërat e forta, shiu i dendur dhe batica e lartë e mbrëmjes do të përkojnë njëkohësisht, njoftoi bashkia në një udhëzim për lëvizjen në qytet.


Start News

Reklama
Back to top button