
Ky filmim tregon kraterin e hapur në fshatin Tarnawa-Kolonia, në lindje të Polonisë pas rënies së një rakete të dyshuar ruse.
Raketa ra gati 100 kilometra larg vijës kufitare me Ukrainën në një tokë bujqësore, prej nga dyshohet se ka ardhur.
Nuk pati viktima, të plagosur apo dëme, veçse frikë për një përshkallëzim të konfliktit ukrainas në një përballje NATO – Rusi.
Kryeministri polak Donald Tusk nuk u nxitua të drejtonte gishtin nga Moska, por kërkoi hetime urgjente për të konfirmuar me 100% llojin e raketës.
Gjasat janë që raketa të ketë devijuar drejtim nga goditja e sistemit kundërajror ukrainas, pasi rusët kryen orët e fundit sulme me raketa në gjithë Ukrainën ku u vranë 13 persona e u plagosën dhejtëra të tjera.
Në shenjestër, veç Kievit e qytete të tjerë ishte edhe Lvivi, i afërt me kufirin polak.
Kjo nuk është hera e parë që mbetje raketash apo dronësh bien në territorin polak, ndërsa incidentet e tilla po shqetësojnë gjithnjë e më shumë vendet e NATO-s.
Vetëm gjatë këtij muaji, edhe Rumania ngriti avionët dhe rrëzoi tre dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore. Besohet se rastet kanë qenë incidente të izoluara dhe të paqëllimshme.
starnews.al
