Raporti i ish-sekretarit britanik të Mbrojtjes: KFOR-i negocioi largimin e terroristëve nga Banjska
Tetë muaj pas ngjarjes së rëndë të Banjskës në veri të Kosovës, aty ku u vra polici Afrim Bunjaku, si dhe 3 terroristë serbë, në raportin e ish-sekretarit britanik të Mbrojtjes, Lord Mark Lancaster, i cili është raportues për Ballkanin Perëndimor, e që është diskutuar në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e NATO-s, e ku e citon Grupin Ndërkombëtar të Krizave, për herë të parë thuhet se zyrtarët e KFOR-it kanë negociuar largimin e terroristeve serbë.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raport.
Më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë, në veri të Kosovës, ndodhi sulmi i armatosur i terroristëve serbë, të cilët vranë rreshterin e policisë Afrim Bunjaku, ndërsa më pas forcat speciale të Kosovës vranë të paktën 3 nga terroristët serbë. Sulmi ndaj policisë u cilësua si terrorist nga Kosova, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian dhe u dënua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet e Kosovës arrestuan dy persona të armatosur dhe katër serbë të tjerë, të cilëve u gjetën pajisje komunikimi afër vendit të ngjarjes dhe i hetuan për terrorizëm. Ata konfiskuan gjithashtu automjete të përdorura nga sulmuesit që përmbanin një arsenal armësh, eksplozivi, municione dhe mjete të tjera logjistike për të mbështetur qindra njerëz.
Në pamjet e publikuara pas ngjarjes nga Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, terroristët serbë dukeshin teksa largoheshin duke ngjitur të qetë kodrën. Në atë kohë nuk u fol nëse me ta kishte pasur negociata, por tashmë 8 muaj nga ngjarja kjo gjë është konfirmuar dhe ka qenë KFOR-i që ka negociuar për largimin e tyre.
Huazuar nga Javanews.al