Raporti i ftohtë me Ramën, Kurti: Na ndajnë qëndrimet për Beogradin
Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.
“Ne për këto tre vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet ti kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit.
Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë -Shkodër” – tha Kurti në një intervistë për A2CNN.
Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.
“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat” – tha Kurti.
Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.
“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi” – tha Kurti.
Një shtrëngim i ftohtë duarsh dhe ngurrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u ngritur nga karrigia ku ishte ulur për të takuar Albin Kurtin në Samitin e Kotorrit më 16 Maj, nxori edhe më tej në pah raportin e ftohtë mes dy liderëve. Lidhur me atë video që bëri xhiron e rrjetit dhe u komentua gjatë në studiot televizive, shefi i qeverisë së Kosovës ka dhënë sqarimet e tij.
“Ajo ka qenë dita e dytë në Kotorr. Ne kemi folur ditën e parë, një ditë më herët. Nuk është se shiheshim aty për herë të parë në atë konferencë. Ka qenë një darkë e përbashkët. Po tani pse nuk është ngritur aty nuk e di. Më besoni unë as jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, – tha Kurti.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar në këtë rast është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi shumë i arrirë ne terren mes dy qeverive, për të sjellë sa më afër shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare. Kurti u vendos edhe përballë faktit se Edi Rama këmbëngul se nuk e ka falur për ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri me regjistrimin e siglës së Vetëvendosjes për të garuar.
“Unë kisha thënë që mbajeni analizën politike të gjithë shqiptarët kudo që janë, mbajeni mendimin kritik por mos i shikoni raportet mes politikanëve, në këtë rast dy kryeministrat me syrin e Big Brother”, – tha Kurti.
LEXO EDHE: Rama: E vërteta e raporteve të mia me Kurtin dhe Vuçiç
Huazuar nga Lapsi.al