Aktualitet dhe Lajme

Përmbytet varka me emigrantë në Spanjë, tre të vdekur dhe shtatë të zhdukur

Share

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe shtatë janë zhdukur pasi një varkë me emigrantë u përmbys në brigjet e Spanjës jugore në Mesdhe, tha sot shërbimi i shpëtimit detar i Spanjës.

Agjencia tha se një tjetër anije dërgoi thirrjen për ndihmë në orën 8 të mëngjesit me orën lokale kur pikasi anijen e zezë gjysmë të zhytur në ujë.

Ekipet e shpëtimit gjetën pesë pasagjerë në bord, tre prej të cilëve ishin të vdekur. Dy të mbijetuarit u transportuan me helikopter në spital dhe ndodhen në gjendje të rëndë, duke vuajtur nga hipotermia.

Të mbijetuarit i thanë personelit të shpëtimit se gjithsej 12 persona ishin në bord kur anija u largua nga Algjeria gjashtë ditë më parë.

Kjo nxiti një operacion kërkimi për shtatë personat që besohet se janë të zhdukur.

Data dhe vendi i zhdukjes së tyre është i paqartë, tha agjencia.

Ajo shtoi se një aeroplan i Frontex po ndihmon përpjekjet e kërkim-shpëtimit, të cilat pengohen nga erërat e forta.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button