Aktualitet dhe Lajme

“Pandeli se mos të mbajnë edhe ty këtu”, shakaja e hidhur me Majkon gjatë vizitës në Hagë

Share

Pandeli Majko i pyetur në “Debatin” e A2 CNN se cilat kanë qenë kanalet e komunikimit mes tij dhe strukturave të UÇK-së që vepronin në Kosovë, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë, ka nguruar të flasë.

Arsyeja sipas tij është gjyqi që po zhvillohet në Hagë ku të pandehur janë marrë drejtuesit më të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Majko për herë të parë ka rrëfyer edhe detaje nga vizita që ai së bashku me ish-Presidentët shqiptarë Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi kryen në Hagë më 29 shtator të vitit 2022 për të takuar krerët e UÇK-së.

Ai zbuloi se tre Presidentët me shaka i thanë se mos e mbajnë edhe të në Gjykatën Speciale.

“Unë mund të flas por problemi është që po zhvillohet një gjyq në Hagë. Po ka mundësi që duke bërë ndonjë deklaratë edhe mund të më thërrasin atje. Se kur isha bashkë me ish-Presidentët, shakaja që më bënin Presidentet ishte: ‘Pandeli se mos të mbajnë edhe ty këtu’. Kur fillonim ato kontrollet, se kemi kaluar nja tre palë kontrolle për të vajtur për të takuar Hashimin dhe shokët e vetë.”

Sipas deputetit socialist kjo shaka është pasqyrë e dhimbjes që përjeton kur sheh se ata që drejtuan Luftën Çlirimtare ose kanë qenë dënuar me burg, ose janë aktualisht pas hekurave duke pritur finalizimin e procesit gjyqësor.

“Kështu që sot ky sofistik i memories është edhe i dhimbshëm sepse ti shikon që të gjithë ata që kanë drejtuar Luftën Çlirimtare të popullit tënd, ose kanë shkuar dhe janë gjykuar dhe kanë bërë burg, ose janë aktualisht të burgosur dhe janë në proces gjyqësor. Është fati i shqiptarëve, që edhe kur fitojnë në histori duhet të dhurojnë një pjesë, më të rëndësishme ndoshta, nga pala e tyre, për ta bërë kurban.”

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button