“Në krahasim me Martinajn…”/ Hoxha: Pse duan ta vrasin Durim Bamin!
Durim Bami i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare u ndalua sot nga policia e Dubait. Ai u ndalua bashkë me vëllanë e tij Valter Bami. Vëllezërit Bami ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohen nga SPAK-u si pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vrasje, tentativë vrasjeje dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e një sërë ekzekutimesh të bujshme.
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për Durim Bamin dhe tregoi se përse grupet kriminale kanë tentuar ta vrasin disa herë Durim Bamin.
“Unë kam parë Arkivin e Shtetit për të parë të dhëna të xhandarmërisë dhe policisë në kohën e Zogut. Ku kanë qenë zonat kriminale? Nga vinin vrasësit? Rezulton që zona Fushë-Krujë, Krujë, Mat, zona e Mamurrasit, në atë kohë kanë pasur numrin më të madh të këtyre vrasësve. Më vjen keq që e them këtë gjë, por është kthyer si një lloj tradite. Edhe në komunizëm këto zonat kishin traditë pushkën.
Ky është habitati ku janë rritur. As shteti, as shoqëria nuk ka mundur ta çajë, ta shpartallojë, ta ndryshojë këtë habitat. Një adoleshent në Nikël, Fushë-Krujë, apo Mat nuk duhet të ketë model këta që dalin me makina 100-200 mijë euro.
Durim Bami është rritur në këtë habitat. Aty janë Hakajt, Rrajet, këto janë fiset e mëdha. Durim Bami u mediatizua me rastin e konfliktit Meta-Doshi-Frroku. Është hera e parë që gjithë drejtuesit shkuan në prokurori. Por shkuan për qokë.
Doshi akuzoi Metën se kishte futur njerëz mes tyre Durim Bamin për ta eliminuar. Këtë gjë ia kishe thënë Mark Frroku. Ai e kishte gjetur Durim Bamin, e regjistroi dhe ia vuri në dispozicion shtetit. Por kjo histori u mbyll. Aty u ekspozua për herë të parë Durim Bami.
Durim Bami është vënë në epiqendër për vrasjen e Aleksandër Ndokës që ka ndodhur në janar të 2017-ës para zgjedhjeve, te dera e shtëpisë. Ndokët mendonin se vrasja e Aleksandërit ka prapavijë politike. Ata e dinë kush është ai që e ka porositur këtë vrasje, por u morën me atë që ka tërhequr gishtin. Nga përgjimet doli se Ndokët bisedojnë për të marrë peng vëllanë e Durim Bamit për të folur.
Edhe Durim Bamin tentuan ta vrasin shumë herë. Mesa duket nuk paska qenë e lehtë të shkoje tek ai. Durim Bami është shumë i kujdesshëm. Ka lidhje të forta. Ai ka një areolë tjetër mbrojtëse në krahasim më Vis Martinajn.”, thotë gazetari./m.j
Huazuar nga Javanews.al