Aktualitet dhe Lajme

Ndryshimet në Ligjin për Auditimin, qartësohen më tej procedurat, forcohen rregullat, përfshihen faktorët ESG

Share

Ministria e Financave nxjerr për konsultim publik ndryshimet në Ligjin “Për Auditimin Ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”. Ndryshimet janë ndërmarrë në vijim të zbatimit të reformës për përmirësimin e raportimit financiar në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me mbështetjen e Bankës Botërore.

Ndryshimet synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me acquis të BE-së, kjo edhe në kuadër të negociatave të Kapitullit 6, si edhe përfshirjen e elementeve të qëndrueshmërisë, kjo në linjë edhe me Direktivat dhe praktikat më të mira europiane.

Reforma e ndërmarrë nga Ministria e Financave zbatohet në tri shtylla kryesore:

Së pari, përmirësimin e kuadrit institucional të palëve të përfshira në këtë reformë. Në kuadër të prioriteteve të reformës, në fokus është përditësimi i vazhdueshëm i Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit dhe në këtë kontekst është krijuar dhe mbështetur forcimi i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, me qëllim kryesor përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe përgatitjen e standardeve për profesionin e kontabilistit.

Së dyti, është synuar konsolidimi i kapacitetit institucional për të zbatuar acquis communautaire të fushës së raportimit financiar. Në këtë kontekst, përveç aktorëve kryesorë të tillë si KKK, BMP, organizatat profesionale të kontabilistëve dhe audituesve ligjorë, janë mbështetur edhe rregullatorë të tjerë të tillë si Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, lidhur me krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të trajnimit dhe edukimit mbi zbatimin dhe imponimin e zbatimit të standardeve të kontabilitetit dhe auditimit.

Së treti, është synuar rritja e ndërgjegjësimit mbi raportimin financiar dhe auditimin ligjor në vend.

Rishikimi i këtij ligji vjen gjithashtu në kuadër të angazhimit për përmbushjen e masave të kërkuara nga Banka Botërore në lidhje me Huanë e Politikave Zhvillimore (DPL). Një nga shtyllat kryesore të këtij dokumenti ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit dhe politikat e gjelbëra. Një nga ndryshimet e propozuara në ligj lidhet specifikisht me dhënien e sigurisë mbi raportimin e qëndrueshmërisë të hartuar nga njësitë ekonomike përkatëse në vendin tonë. Këto ndryshime do të japin kontribut në rritjen e ndërgjegjësimit ndaj çështjeve jofinanciare, si ato mjedisore, sociale dhe koorporative (ESG).

Ndryshimet ligjore synojnë:

  • Përafrimin e legjislacionit me atë të BE, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e përcaktuara në Kapitullin 6 të acquis communautaire;
  • Përcaktim më të qartë të njësive që janë të detyruara të kryejnë auditimin ligjor;
  • Përmirësimin e implementimit të mëtejshëm të ligjit, duke forcuar rregullat për kryerjen e auditimit ligjor të njësive me interes publik (NJEIP);
  • Përcaktimi i detyrimit për dhënien e sigurisë mbi raportimin e qëndrueshmërisë nga shoqëritë e auditimit (përfshirja e faktorëve ESG);
  • Qartësim më të plotë në lidhje me realizimin e disa procedurave bazë të punës që duhet të kryhen nga audituesit ligjorë, në mbështetje të përcaktimeve që ka dhe direktiva përkatëse; si dhe
  • Qartësimin e terminologjive përkatëse ku janë hasur problematika, me synim unifikimin dhe përmirësimin e zbatueshmërisë së këtij ligji.

Realizimi i këtyre objektivave, në kuadër të ndryshimeve përkatëse, do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke forcuar qeverisjen e brendshme të njësive ekonomike me interes publik, përmirësuar punën e audituesve ligjorë, duke krijuar në këtë mënyrë një treg më profesional dhe transparent të auditimit ligjor.


Huazuar nga StartNews.

Back to top button