Aktualitet dhe Lajme

Ndihmonin shqiptarët që të shkonin ilegalisht në Spanjë, Britani, SHBA e Kanada, SPAK jep detaje, pranga 31 personave

Share

Mësohen detaje nga operacioni kundër trafikut të emigrantëve, në kuadër të të cilit janë ekzekutuar 32 masa sigurimi. Siç bëhet e ditur, janë caktuar masat e sigurimit “arrest me burg” për 31 persona të cilët dyshohet se janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë dhe një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit.

Po ashtu është caktuar një masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për gjashtë persona të dyshuar për veprat penale ” “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, “Falsifikimi i dokumentave” kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Për këtë operacion, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë dhe kështu është i mundur identifikimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të disa grupeve kriminale të lidhura me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.

Nga hetimet, është konsistuar se grupi në fjalë, prodhonte dokumente të falsifikuar të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera), gjente dhe ndërmjetësonte shtetasit shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Po ashtu, ata transportonin persona me dokumente të falsifikuara kryesisht në shtetin e Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre personave  mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.

Jepnin ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.

Siç bën të ditur SPAK, në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende. Më konkretisht, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button