Aktualitet dhe Lajme

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës: Për “Javelin” po e presim ofertën amerikane, planifikojmë edhe blerje të tjera

Share

Në një përgjigje për Gazetën Express, ditë më parë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar se periudha 30 ditore e njoftimit të Kongresit Amerikan për çështjen e kërkesës së Kosovës për blerje të sistemit anti-tank Javelin ka përfunduar dhe se tashmë Kosova mund të procedojë tutje me çështjet e prokurimit.

Lidhur me atë se çfarë po ndodh me procesin e blerjes së Javelin, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, kanë folur nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Nga kjo Ministri kanë deklaruar për Gazetën Express se pas përfundimit të periudhës 30 ditore, tashmë Kosova është në pritje të ofertës amerikane dhe pastaj bazuar në të dhe planin e FSK-së të realizohet blerja.

“Me të përfunduar tashmë periudha tridhjetë ditore e njoftimit të Kongresit rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank Javeline, Ministria e Mbrojtjes është në pritje të ofertës nga ana e ShBA-së, që pastaj bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së të realizohet blerja”, ka thënë për Express zëdhënësja dhe këshilltarja e ministrit, Liridona Gashi.

Gashi ka treguar se shuma totale e prokurimit vlerësohet të shkojë tek 75 milionë dollarët, derisa në pako përfshihet edhe trajnimi i ushtarëve

“Kostoja totale e prokurimit vlerësohet të jetë 75 milionë dollarë, ndërsa si pako do të përfshihet edhe trajnimi i ushtarakëve të FSK-së në përdorimin e këtij sistemi. Përderisa afatet për pranimin e tyre caktohen pas përmbylljes së procedurës së blerjes, me rastin e nënshkrimit të kontratës”, ka shtuar tutje ajo.

Gashi ka deklaruar për Express se Kosova përmes kësaj blerje synon ngritjen e kapacitetit mbrojtës.

“Theksojmë se kjo blerje do të ngrisë kapacitetin mbrojtës të FSK-së për të garantuar mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të territorit të Republikës së Kosovës bazuar në misionin kushtetues të saj”, ka sqaruar tutje zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gashi në fund ka treguar edhe detaje se sa ka investuar Kosova në armatim gjatë tri viteve të fundit dhe ka zbuluar se Kosova planifikon edhe blerje të tjera bazuar në planin e zhvillimit të FSK.

“Ndërsa konfirmojmë se vlerës prej 239 milionë euro aq sa është investuar në sisteme të armatimeve gjatë tre viteve të fundit, këtë vit do t’i shtohen dhe disa milionë të tjerë pasi planifikojmë të realizojmë dhe blerje të tjera bazuar në planin e zhvillimit të FSK-së dhe planifikimin buxhetor, e që buxheti për vitin 2024 prej 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, mundëson realizimin e tyre”, ka përfunduar Gashi për Gazetën Express. /GazetaExpress/




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button