Manaj tremb spanjollët, “Mundo Deportivo” analizon rilindjen e sulmuesit kuqezi
Gazeta spanjolle, “El Mundo Deportivo”, i ka kushtuar një shkrim të veçantë sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rey Manaj, duke treguar karrierën e tij. Nga kohët e Barcelonës tek rilindja si një Feniks në Turqi.
“Si një Feniks, lojtari shqiptar Rey Manaj është ngritur nga hiri dhe synon të bëhet një nga lojtarët më të spikatur të Shqipërisë për këtë Evropian, i drejtuar nga një fytyrë e njohur për tifozët e Barcelonës, Sylvinho. Nuk ka qenë një shtrat me trëndafila për sulmuesin, i cili madje kaloi gjashtë muaj pa ekip pasi ndërpreu kontratën me Watford të kampionatit anglez në shkurt 2023.
Ai që ishte lojtar rezervë i skuadrës blaugrana nga viti 2019 deri në verën e vitit 2021 dinte të përfitonte nga treni i fundit që iu prezantua për të vazhduar në elitën evropiane dhe në vitin e parë në ligën turke. Në fakt, Rey Manaj ka qenë golashënuesi i tretë më i mirë në kampionatin turk me 18 gola, pas dy golashënuesve të klasit botëror si Mauro Icardi (25) dhe Edin Dzeko (21).
Shifrat e sulmuesit këtë sezon janë inkurajuese: në 36 ndeshje që ka luajtur mes Ligës dhe Kupës, ai ka shënuar 22 gola dhe ka shpërndarë 3 asistime që kanë qenë thelbësore që Sivasspor të përfundojë në pozitën e shtatë në renditje. Puna e mirë e sulmuesit ka bërë që ai të futet në skuadrën shqiptare për Euro 2024, rival i Spanjës në grupin B”, shkruhet mes të tjerash në gazetën spanjolle.