Aktualitet dhe Lajme

Kriza artificiale dhe marrëveshja Berisha-Rama, kundër Bashës, SPAK dhe Reformës Zgjedhore

Share

Nga Gentian Gaba

Inteligjenca Artificiale (IA) është një degë e shkencës kompjuterike që merret me zhvillimin e sistemeve dhe teknologjive që mund të shfaqin sjellje të cilat lidhen me inteligjencën.

Është një term i vjetër (1956), por që ka hyrë në modë rrufeshëm me daljen e chatbot-eve gjenerative, të cilat kanë ngritur shpresa dhe dilema për të ardhmen e kësja teknologjie.

Pas dy fronteve të luftës, ajo në Ukrainë dhe ajo në Lindjen e Mesme, dhe zgjedhjeve që këtë vit angazhojnë pjesën më të madhe të demokracive anembanë globit, IA është një temë e nxehtë që rrok debatin publik, duke i dhënë një hov imagjinatës kolektive.

Por, teksa Inteligjenca Artificiale po përparon vrrullshëm anekënd botës, si një flladë që erëmon të ardhme, në Shqipëri ora ka ngecur te një dinamikë e vjetër dhe e lodhur politike, e cila vepron si një gropë thithëse e një pjese të mirë të energjisë shoqërore, synimi i të cilës është mbajtja e një status quo-je, shtyllat e të cilës janë njerëzit më jetëgjatë e më të pushtetshëm të tranzicionit.

Një tandem, shpesh herë edhe nje trio, kur hëna është e keqe, i cili përfaqëson majën e një ajsbergu që thellë fsheh interesa klienteliste të një kaste, e përbërë prej jo më shumë se dy duzinë shqiptarësh, që kontrollojnë me grusht të hekur pushtetin në vend.

Një kastë që nuk ka lidhje as me demokracinë, as me garën, as me konkurrencën e lirë, as me kapitalizimin, as me shtetin e të drejtës, as me lirinë e shprehjes, por është e gatshme t’i përkulë të gjitha këto kur e sheh të rrezikuar pozitën e saj.

Dhe në kohën e Inteligjencës Artificiale, kjo kastë e mbron veten dhe interesat e saj përmes Injorancën Artificiale. Një vetësugjestionim të zëdhënësve të kastës, që bëjnë sikur nuk dinë se janë duke vepruar në shërbim të një projekti politik që nuk i shërben qytetarëve apo interesti publik. Një Injorancë Artficiale e njerëzve pa guxim politik, pa moral shoqëror, që nuk besojnë në asgjë, paçka se e dinë shumë mirë se rruga nëpër të cilën po ecin dhe ku duan të fushin shqiptarët, është pa krye dhe dëmton interesat e shumicës.

Është Injorancë Artificiale, të bësh sikur nuk kupton që, për të mbajtur gjendjen e tanishme në të cilën lëngon vendi, Ramës i duhet Berisha përballë; sikurse është Injorancë Artificiale të bësh sikur beson se Berisha mund të fitojë zgjedhjet, i izoluar, i pareformuar, në luftë me drejtësinë dhe me SHBA.

Është po ashtu Injorancë Artificiale të gënjesh mbështetësit e Partisë Demokratike me premtime pushteti, ndërkohë që po luftojnë për një vend në Parlament dhe nuk duan të sfidojnë Ramën, por kërkojnë kapjen së një cope opozite në 2025-ën, me shpresën se humbja që do shkaktojnë edhe me kontributin e tyre, do çelë një shpresë për të ardhmen e këtyre individëve.

Është Injorancë Artificiale të bësh sikur nuk kupton që qytetarët e paangazhuar, të cilët i kanë parë piruetat e deputetëve pa din e iman, që nisën të luftonin për demokraci të brendshme e përfunduan të kooptoheshin në një strukturë familjare, do të investojnë besimin e tyre te njerëz që nuk besojnë në asnjë kauzë.

Është injorancë Artificiale të bësh sikur qytetarët do të hanë sapunin e revolucionit të karrigeve për djathë, sidomos kur revolucioni doli hapur si një strategji për të goditur Bashën. Mjafton të kujtojmë imazhin e vrerit me të cilin u sulmua Flutura Açka dhe ëmbëlsia me të cilën komunikojnë me Spiropalin, për të kutpuar kë kanë kundërshtarë në këtë stinë të shëmtuar politike.

Jo, nuk ka nevojë për të përdorur ChatGPT për të kuptuar lojën me porta të vogla të atij që me ironi mund ta quajmë regjimi Rama-Berisha.

Të sfiduar nga politikat e SHBA-së kundër pandëshkueshmërisë në rajon, të kërcënuar nga ndryshimet politike që po imponon normalizimi i drejtësisë dhe forcimi i SPAK-ut, krijuesit e rendit politik aktual përmes marrëveshjes së 2008-ës, të cilën e mbrojnë të dy me krenari edhe pse koha e provoi si të dëmshme për interesin publik dhe zhvillimet demokratike në vend, kishin vetëm një rrugë: Një front i përbashkët kundër aleatëve të brendshëm të SHBA-së, pra Basha, PD, SPAK dhe GJKKO, si dhe goditjen e çdo përpjekje institucionale për të zhbërë marrëveshjen e 2008-ës.

Ndaj Bashës dhe PD kanë vite që kanë lëshuar të gjithë fuqinë e tyre në media, qofshin ato të lira apo të shtrenjta, pasi përbën antagonistin e tyre kryesor; kandidatin me përvojën e duhur, me kontaktet e duhura ndërkombëtare dhe strukturën e duhur kombëtare, për të mos lejuar krijimin e një vakumi në rastin e kolapsit nën çekiçin e drejtësisë së kastës së vjetër.

Detyra që Këshilli i Europës i ka ngarkuar, është po ashtu provë e vullnetit ndërkombëtar për të mos lejuar që sulmet e padrejta të sajuara ndaj Bashës, si rasti kriminal i McGonigal, që u bë bipartizan mes Ramës dhe Folotores, që riciklonte paturpësisht akuzat, të mos dëmtojnë politikanin që përbën filizën për normalizmin e procesit politik, pas kalimt të valës së parë të SPAK mbi politikën e korruptuar shqiptare. Berishës dhe Ramës, Basha i’u duhet jashtë loje, sepse mungesa e alternativës është garancia e vetme që ata ofrojnë.

E natyrisht SPAK duhet goditur, sepse është “longa manus” e zgjatur me vullnetin e hekurt të partnerëve për të thyer rrethin vicioz të tranzicionit, me rotacione që ishin riciklime. Ndaj tij janë sulur të dy, njëri më i ashpër, tjetri më finok, por përsëri të pamëshirshëm ndaj strukturës së re, që sigurisht nuk mund të jetë perfekte, por duket që është në rrugë të mbarë, për sa kohë merr sulmet e helmatisura të Ramës dhe çjerrjet dhe mallkimet frontale të Berishës.

Po ashtu goditja kundër Reformës Zgjedhore që ndryshon ujdin e vjetër, e cila erdhi teksa Komisioni po shkonte drejt përfundimit të punës, madje Rama dhe Berisha u ulën të martën e kësaj jave, pikërisht ditën në të cilën ekspertët e ODIHR po punonin në të njëjtën orë për të nxjerrë një produkt përfundimtar. Një mesazh i qartë për shqiptarët e të huajt, përmes të cilit thanë që nuk duan lista të hapura, nuk duan votën e diasporës etj..

Por kjo nuk është arritja e një ditë. As e një shtrëngimi duarsh me avatarët e tyre në Komision. Në fakt çdo gjë kishte nisur prej kohësh, dhe u ineskua me porosi, kur SPAK nisi të veprojë mbi Berishën (Forca e SPAK për t’u marr me Berishën, perceptohet nga Rama si autorizim për t’u marrë me atë nesër, pasi askush nuk është më i paprekshëm).

Kriza e ngjizur në Parlament, e implementuar nga njëra palë por e orkestruar nga të dyja, nuk kishte për qëllim as Komisionet Hetimore, ligji i ri i të cilave i bën lodra për deputetët e listave, por faktorizimin politik të Berishës. Një radikalizëm teneqeje, si për të thënë nuk kemi çfarë të bëjmë, këta kemi përballë, me këta duhet të merremi vesh, ku njëra palë bën si e ndershme e tjetra si revolucionare e moderuar.

Faktorizimi politik i Berishës rrit pushtetin e Ramës, i cili, me këtë lëvizje, kërcënon shqiptarët që nuk duan Berishën e që prej kohësh janë shumica, si dhe ndërkombëtarët për të cilët ai nuk bën më pjesë për vizionin e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit, me pretendimin se ikja e Ramës përkthehet me kthimin e Berishës.

Një shantazh që nuk është hera e parë që bën e mbi të gjitha është një shantazh që i lezeton edhe Berishës, i cili kënaqet me rolin e dordolecit në fushën e lojës së Ramës, pasi në këtë mënyrë, të dy bashkë, mbrojnë vazhdimësinë e tyre duke mbajtur të bllokuar me hile dhe korrupsion kampin politik.

E pra, kjo është kriza e sajuar, kriza artificiale që zgjidhën me marrëveshjen e re ustallarët e vjetër. Një krizë e sajuar për të mbajtur gjallë krizën e madhe të legjitimitetit politik të tyre dhe të një sistemi nën thundrën e SPAK-ut. Një krizë e thellë që kërkon t’i shpëtojë vëmendjes së opinionit publik me sajimin e debtateve të ndenjura, mbi shumica e pakica, që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje, asnjë vizion për të ardhmen, përveç humbjes së sigurt për ata që kërkojnë ndryshim dhe fitores së pak karrigeve në Parlament, nga ana e atyre që ndryshojnë mendje çdo dy ditë.

Por, ndonëse duket se gjërat shkojnë fjoll nga pozitat e pushtetit me të cilin janë fryrë, e teksa simulojnë me lojëra luftash një armiqësi që në fakt e kanë me Bashën, SPAK-un dhe Reformën Zgjedhore, prestigji i fundit duket se nuk ka ngjitur siç duhet.

Bashkimi i votave për të faktorizuar Berishën, sugjestionuar SPAK-un e për të vrarë Zgjedhoren mban më shumë erë se zakonisht.

Si zombi që kutërbojnë gjithë mjedisin me duhmën e rëndë, duke u endur nëpër Shqipëri me kërcënimin e hapur se, nëse nuk bëhet si thonë ata, do hedhin në erë çdo gjë me kartonat e Parlametit, duke nisur nga amnistia për të dënuarit e GJKKO-së, si një shantazh i hapur ndaj punës së deritanishme të kësaj strukture. E për të vijuar sigurisht me kryeveprën e revolucionit, “nënkomisionin” me katër karrige por me të njëjtat surrate, që lidh në bashkëqeverisje Ramën me Berishën, i cili mund të miratojë ndryshime kushtetuese që prekin ligjet e drejtësisë, natyrisht të diktuara nga paniku që u ka nxitur frika e SPAK-ut.

Një lëvizje e dëshpëruar që i ka bërë të heqin dorë nga çdo fasadë (retorika hipokrite e Ramës për non grata-t ka marrë fund edhe sepse ai qeverisë prej vitesh me ta), nga çdo kujdes paraprak, si një solidarizimi që i shtrëngon fort në hallin e përbashkët, jo sepse janë trima dhe luftëtar të paepur, por sepse dëshpërimi i nxitur nga një konktekst konkurrues, që po ndryshon rreptësisht për ta dhe sejmenët e tyre, është këshilltari më i keq.


Huazuar nga StartNews.

Një kafe nga ju!

Back to top button