Kokaina në Pire, “Pablo” grek, “Baroni” shqiptar dhe roli i policisë. Jeta luksoze e Muharremit
Autoritetet greke arritën të çmontonin më 23 maj, rrjetin e madh të drogës, pas zbulimit të ngarkesave të kokainës në kontejnerë në portin e Pireut, falë një oficeri policie të infiltruar që kishte arritur të depërtonte në unazë.
Ai informoi ELAS për çdo lëvizje të tregtarëve.
Oficerët e Prokurorisë së Narkotikëve duke përdorur informacione dhe në bashkëpunim me zyrën e DEA-s të Ambasadës Amerikane, arritën të çmontonin një unazë fitimet e së cilës kalonin 5 000 000 euro.
Gjatë gjithë kësaj kohe grupi kriminal ishte nën vëzhgim nga brenda.
Roli i agjentit sekret ka qenë katalizator, duke dhënë informacionin e nevojshëm për vendndodhjen e ngarkesës dhe arrestimin e shpërndarësve të drogës të enjten në portin e Pireut.
“Pablo” grek i kartelit
I akuzuari grek Ioannis Viglakis, me pseudonimin “Pablo” ishte “sytë” e kartelit në fjalë në Amerikën Latine ku kishte zhvilluar një veprimtari të pasur pasi ishte arrestuar për tregti me armë. 64-vjeçari u arrestua në Panama në gusht 2012 për përpjekje për të mbështetur një “organizatë të huaj terroriste”, sipas ERT.
Gjithashtu në vitin 2014, “Pablo” u ekstradua në SHBA dhe u gjykua për përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC). Më pas, në takimet me një oficer të fshehtë të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës, ai kishte ofruar të siguronte pushkë dhe municione madje edhe për raketat tokë-ajër.
Roli i “baronit” shqiptar dhe jeta luksoze
“Lideri” shqiptar, Azdren Muharremi kishte filluar të shqetësonte autoritetet greke që në vitin 2017, kur u akuzua se financonte një laborator në Nea Peramos për prodhimin e pilulave Captagon, apo drogën xhihadiste.
Njëkohësisht ai kishte shqetësuar edhe autoritetet turke pasi sipas informacioneve ishte arrestuar në shtator të vitit 2009 në Fatih të Stambollit me 10 kilogramë heroinë dhe 3 kilogramë marihuanë.
Gjatë gjithë këtyre viteve që iu shmang arrestimit nga autoritetet greke, ai bëri një jetë luksoze duke postuar vazhdimisht në profilin e tij në Facebook, video nga klubet e natës në Athinë ku shfaqeshin artistë të famshëm.
Rolet e të arrestuave
Shqiptari Azdren Muharremi, ishte drejtues i organizatës kriminale, i ngarkuar për gjetjen e sasive të drogës në qarkullim, financimin e transportit, organizimin e dërgesës së drogës nga Panamaja në vendet e Evropës, fshehjen e tyre në kontejnerë të destinuar për Greqinë dhe lëvizjen e tyre të mëtejshme drejt Evropës
Marsel Stafaj, bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i Muharremit, i ngarkuar për gjetjen dhe rekrutimin e bashkëpunëtorëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e mëtejshëm të saj.
Ioannis Viglakis, i ngarkuar për komunikimin me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale që ndodhen jashtë Greqisë, për koordinimin e furnizimit dhe financimin e blerjes së sasive që do të trafikohen.
Alexandros Merkouris, përgjegjës për mbulimin operacional dhe mbrojtjen e Muharremit duke marrë masat e duhura për të shmangur arrestimin e tij.
Anëtarë të panjohur, të paidentifikuar të organizatës me seli jashtë vendit, të cilët merreshin me furnizimin, blerjen, vendosjen dhe fshehjen brenda kontejnerëve të ngarkuar me ngarkesë legale me origjinë nga Panamaja dhe me destinacion Greqinë.
Anëtarë të panjohur, të paidentifikuar të organizatës me qendër në Greqi, përgjegjës për trafikimin e mëtejshëm të sasisë së sekuestruar.
/a.r
Huazuar nga Javanews.al