Aktualitet dhe Lajme

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miraton një rezolutë për armëpushim në Gazë

Share

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka miratuar të hënën një rezolutë për ta mbështetur një plan për armëpushim, i cili ka për qëllim dhënien fund të luftës tetëmujore në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Rezoluta, e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, mori 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.

Kjo është rezoluta e parë e Këshillit të Sigurimit për planin për armëpushim që ka për qëllim t’i japë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Rezoluta e mirëpret propozimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për armëpushim në Gazë, për të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se është pranuar nga Izraeli. Ajo i bën thirrje Hamasit, i cili fillimisht tha se e ka shqyrtuar “pozitivisht” propozimin, ta pranojë atë.

Rezoluta u bën thirrje Izraelit dhe Hamasit “t’i zbatojnë plotësisht kushtet e saj pa asnjë vonesë dhe asnjë kusht”.

Propozimi i Bidenit përbëhet nga kushte për “një armëpushim të plotë”, lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, kthimin e mbetjeve të pengjeve të vdekura dhe shkëmbimin e të burgosurve palestinezë.

Plani përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës me një plan shumëvjeçar për rindërtimin e Gazës, e cila është rrënuar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve.

Të hënën më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e fajësoi Hamasin se po e zvarrit arritjen armëpushim në Gazë.

Duke folur pas një takimi në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Blinkeni tha se Hamasi është pala e vetme që ende nuk është pajtuar me propozimin e Bidenit.

Uashingtoni thotë se propozimi parashikon armëpushim në faza, që përfundimisht çon drejt dhënies fund të luftës.

Megjithatë, Izraeli thotë se do të pajtohet vetëm me ndërprerje të përkohshme të luftës derisa Hamasi të mposhtet plotësisht, ndërsa Hamasi thotë se nuk do ta pranojë një armëpushim, i cili nuk ofron garanci se lufta do të përfundojë.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./rel




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button