Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut zotohen për zgjedhje të drejta, por nuk i besojnë njëri tjetrit
Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar të martën në Shkup kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike, që do të mbahen në dy raunde zgjedhore: më 24 prill dhe 8 maj të këtij viti.
Në dokumentin që është nënshkruar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), është thënë se “pjesëmarrësit në zgjedhje angazhohen të respektojnë ligjet, rregulloret dhe sundimin e ligjit në procesin zgjedhor, dhe se do të mënjanojnë diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes”.
Kodeksi është nënshkruar nga gjashtë kandidatë, Stevo Pendarovski, i nominuari i Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së opozitare, Bujar Osmani, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Taravari, kandidat i opozitës shqiptare, Biljana Vankovska e partisë “E Majta”, dhe Maksim Dimitrievski nga partia “Për Maqedoninë”.
Kandidati i shtatë, Stevçe Jakimovki, ka refuzuar që të nënshkruajë dokumentin, duke thënë se “nuk beson që kandidatët tjerë do të respektojnë atë që kanë nënshkruar”.
”Rregullat zgjedhore favorizojnë vetëm kandidatë të caktuar duke pasur në dipozicion fonde të shumta”, ka deklaruar Jakimovski, duke drejtuar akuza edhe ndaj KSHZ-së për anulimin e një debati të paralajmëruar nga presidenti aktual, Stevo Pendarovski.
Disa prej kandidatëve tjerë thanë se besojnë në një fushatë pozitive, por disa të tjerë thanë se në praktikë do të tregohet e kundërta.
“Besoj se integriteti i procesit zgjedhor nuk do të rrënohet. Do të dëshmojmë si shtet se jemi të gatshëm që të mbajmë zgjedhje të lira dhe demokratike në nivelin më të lartë, sipas standardeve ndërkombëtare. Procesi do të jetë demokratik”, ka thënë Stevo Pendarovski, presidenti aktual që synon edhe një mandat në pushtet.
Edhe Bujar Osmani kandidat i BDI-së, ka thënë se do të angazhohet për fushatë pozitive.
“Mirëpres këtë iniciativë të KSHZ-së, edhe pse kjo është më tepër çështje e moralit politik si do t’iu qasemi në mënyrë korrekte këtyre zgjedhjeve. Në fund të fundit kjo do të reflektojë moralin politik dhe karakterin tonë. Nuk do të përdor fushatë të zezë, por garën politike e nënkuptoj si garë të ofertave alternative dhe ideve”.
Edhe kandidatja e VMRO DPMNE-së ngriti çështjen e favorizimit të kandidatëve me “status të lartë shtetëror.
“Mendoj se problematike do të jetë t’i përmbaheni kodeksit për zgjedhje të lira kur bëhet fjalë për kandidatët me status të lartë në shtet, të cilët përdorin resurse shtetërore”, ka thënë Gordana Siljanovska Davkova.
Kandidati i opozitës së bashkuar shqiptare, Arben Taravari e ka theksuar nevojën e debateve mes kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa ka shprehur dyshime nëse zgjedhjet do të jenë evropiane.
“Jemi larg asaj që të organizojmë zgjedhje si në shtetet evropiane. Uroj që të kemi debate, pavarësisht se kush i organizon…uroj që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike, edhe pse kjo nuk varet nga ne kandidatët, por më shumë nga partitë politike”.
Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon zyrtarisht të enjten, më 4 prill, dhe do të zgjasë 20 ditë./rel