Aktualitet dhe Lajme

Erisa Xhixho: Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë

Share

Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka komentuar taksën për profesionistët e lirë, që ka hyrë në fuqi nga 1 Janari i 2024-ës.

Sipas Xhixhos, kjo taksë “nuk është rrjedhojë e një strategjie të qartë që i shërben mirëqeverisjes”.

Deputetja thotë se “qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj”.

Deklarata e plotë:

“Dua ta nis këtë komunikim me një urim për të gjithë shqiptarët në emër të Partisë së Lirisë. Mbarësi, begati e shpresë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Shumë prej jush e nisin këtë vit të ri me një barrë të re financiare. Nga 1 janari, qeveria u ka ngarkuar profesionistëve të lirë një taksë të re.

Tatimi me 23% i profesionistëve të lirë do të rëndojë mbi 16 700 avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, fotografë, arkitektë, farmacistë, dizajner, përmbarues, videografë, specialistë IT etj.

Kjo qeveri që ka dëbuar të rinjtë e po dëbon bizneset fason, ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbushur xhepat e saj duke dëbuar edhe shtresën e mesme.

Taksa 23% për profesionistët e lirë është taksë mbi dijen, sepse penalizon individë që kanë investuar një jetë në studime e formim profesional dhe punojnë me orare të zgjatura.

Kjo taksë e re nuk është rrjedhojë e një strategjie të qartë që i shërben mirëqeverisjes.

Kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh, duke dëshmuar një paqëndrueshmëri të pashembullt politikash fiskale.

Sot, varfërisë, mungesës së mbështetjes sociale, papunësisë dhe humbjes së shpresës, si arsyet që po i shtyjnë shqiptarët të largohen, u është shtuar edhe një tjetër.

Pa asnjë konsultim me grupet e interesit, me forcën e kartonit dhe duke mos marrë parasysh amendamentin e Partisë së Lirisë, ligji për profesionet e lira detyron sot profesionistët e lirë të paguajnë më shumë se biznesi i vogël dhe ai i madh.

Vendosja e kësaj takse në kulmin e krizës së cmimeve do t’i detyrojë shumë prej orfuesve të këtyre shërbimeve të marrin rrugën e emigrimit.

Përfitimi i qeverisë nga ky taksim do të arrijë plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë.

Këto para do të shkojnë në xhepat e klientëve të qeverisë, për koncesione e inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj.

Partia e Lirisë është e bindur se një sistem taksimi i pabarabartë dhe i pandershëm, në kushtet e krizës, kur qeveria duhet të mbështesë e jo të vjelë më shumë taksa, është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.

Me taksimin e ri, shtresës së mesme dhe intelektualëve, kjo qeveri po u tregon derën. Axhenda e qëllimshme për të shpopulluar vendin është shtrirë sot me ligj akoma më gjerë”, shprehet ajo.

 




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button