Emri/ U godit me zinxhir në kokë nga një person i maskuar, efektivi i burgut të Fierit i plagosur në spital
Efektivi i burgut të Fierit, Nazmi Doko ndodhet i shtruar në spitalin e Fierit, reparti i Kirurgjisë. 64-vjecari ka marrë plagë në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën.
Efektivi është goditur me zinxhirë në kokë mbrëmjen e 30 prillit, rreth orës 21:00 në rrugën pranë banesës së tij në lagjen “1 Maji”.
Burimet thanë se kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me maskë që godet me zinxhir në kokë efektivin dhe më pas largohet me një makinë që e kishte parkuar në anë të rrugës.
Burimet thanë se po hetohet pista e goditjes për shkak të detyrës, por kjo nuk pohohet zyrtarisht.
Policia njoftoi se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se ka goditur me send të fortë shtetasin N. D., 64 vjeç (efektiv i IEVP Fier), duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Shtetasi N. D. po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, ka njoftuar policia./m.j
Huazuar nga Javanews.al