Aktualitet dhe Lajme

CPJ: Numri i gazetarëve të burgosur ka shënuar rritje

Share

Numri i gazetarëve të burgosur është rritur ndjeshëm në vitin 2023 me vendet si Bjellorusia dhe Rusia të cilat si “armën e tyre më të zakonshme” përdorin ekstremizmin dhe ligje të tjera “anti-shtetërore” për të heshtur mediat e pavarura, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Në raportin e tij vjetor për gazetarët e burgosur, të publikuar më 18 janar, Komiteti tha se 321 reporterë ishin prapa hekurave që nga 1 dhjetori – numri i dytë më i lartë që nga fillimi i regjistrimit më 1992.

Vendi që kryeson është Kina me 44 gazetarë të burgosur, tha CPJ, e ndjekur nga Majnmar me 43, Bjellorusia me 28, si dhe Rusia.

Totali është “një barometër shqetësues i autoritarizmit të rrënjosur nga qeveritë e vendosura për të mbytur zërat e pavarur”, tha CPJ, duke vënë në dukje se më shumë se 65 për qind gazetarëve të burgosur përballen me “akuza anti-shtetërore si lajme të rreme dhe terrorizëm në hakmarrje për mbulimin e tyre kritik”.

Në Bjellorusi, ku numri i gazetarëve të arrestuar është rritur ndjeshëm që nga trazirat e përhapura pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2022 që i dhanë autoritarit Alyaksandr Lukashenka mandatin e tij të gjashtë me radhë, CPJ tha se 71 për qind e të burgosurve përballen me akuza anti-shtetërore dhe pothuajse gjysma e tyre vuajnë dënim prej pesë vjetësh, ose më shumë.

Sipas CPJ, Rusia – e cilia filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – gjithashtu intensifikoi përpjekjet e saj për të shtypur raportimin e lirë.

“Moska po përpiqet të kriminalizojë gazetarinë përtej kufijve të saj duke lëshuar urdhër-arreste dhe dënime me burg në mungesë, për disa gazetarë të shquar që punojnë jashtë vendit”, thuhet në raport.

Ndërkohë 12, nga gjithsej 17 gazetarë jolokalë të arrestuar, mbahen nga Rusia, duke përfshirë Alsu Kurmasheva – gazetaren veterane në Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë (REL) – e cila është mbajtur në Rusi për tre muaj, dhe reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich.

Dhjetë gazetarë të tjerë nga Ukraina – pesë prej të cilëve janë tatarë të Krimesë – janë gjithashtu në paraburgimin rus. Moska aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

Një vend që CPJ theksoi për një rënie të numrit të gazetarëve që mbahen është Irani, ku totali ra në 17 nga 62 në vitin 2022.

Megjithatë, CPJ tha se shumë nga ata që ishin të listuar në regjistrimin e vitit 2022 janë liruar me kusht për të pritur akuzat ose dënimin, “që do të thotë se numri më i ulët i të burgosurve në vitin 2023 në asnjë mënyrë nuk sinjalizon se Irani ka hequr dorë nga shtypja e medias”.

“Në vend të kësaj, autoritetet i janë përgjigjur rritjes së raportimit për të drejtat e grave duke veçuar gazetaret e shquara femra” shtoi CPJ, duke thënë se tetë nga shtatëmbëdhjetë që mbahen ende, janë gra.

Në Azinë Qendrore, Taxhikistani doli të ishte vendi me gazetarët më të burgosur me shtatë raste të vuajtjes së dënimeve me burg nga shtatë deri në 20 vjet – të gjithë të dënuar që nga fundi i vitit 2022.

“Dënimet e ashpra kanë përkeqësuar një klimë të përhapur frikësimi dhe vet-censurimi midis gazetarëve në një mjedis mediatik tashmë të shkatërruar prej vjetësh nga presioni i qeverisë,” tha CPJ duke përshkruar të gjeturat e ekipit gjatë një udhëtimi në Taxhikistan në fund të vitit 2023.

CPJ gjithashtu vuri në dukje se liria e shtypit gjithashtu “u përkeqësua me shpejtësi” në Azerbajxhan, me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Katër anëtarë të medias u arrestuan më 1 dhjetor dhe që atëherë të paktën tre të tjerë, tha CPJ.

Katër të parët ishin nga gazeta e njohur hetimore Abzas Media – e njohur për hetimet e saj mbi korrupsionin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Autoritetet e Azerbajxhanit kanë akuzuar ambasadat dhe organizatat donatore të SHBA-së dhe Evropës për financimin e paligjshëm të medias.

Shumë vëzhgues në Azerbajxhan besojnë se qeveria filloi fushatën kundër SHBA-së për të ofruar një pretekst për shtypjen e gazetarëve vendas, veçanërisht pasi nuk ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në pozicionin e SHBA-së ndaj Bakut./REL




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button