Aktualitet dhe Lajme

Çfarë të ardhme kanë palestinezët në Gaza?

Share

Çfarë do të ndodhë pas luftës në Gaza? Në një kohë që ministra të veçuar izraelitë kërkojnë largimin e palestinezëve, qeveria e djathtë izraelite nuk ka paraqitur ndonjë plan. Ekspertët e DW thonë, shumë gjëra varen nga SHBA.

Tre muajt e fundit për Muhamed Ali ishin një odise e vërtetë në kërkim të sigurisë, që në Gaza nuk ekziston. Bashkë me familjen, Muhamed Ali duhej të kërkonte disa herë një strehë ku të fuste kokën. Shtëpia e tij në qytetin e Gazës është shkatërruar nga sulmet izraelite, shkruan Muhamed. “Ne kemi kërkuar në fillim mbrojtje në spitalin aty afër, Al-Kuds. Kur na u tha që duhej të largoheshim edhe prej aty, erdhëm në Nuseirat, (në qendër të Rripit të Gazës). Por momentalisht jemi në Rafah”, shkruan ai në një mesazh.

Tre muaj pasi Izraeli i shpalli luftë Hamasit ekstremist, organizatë që nga SHBA, BE, Gjermania kategorizohet si organizatë terroriste, inxhinieri 35 vjeçar ka frikë jo vetëm për mbijetesën e përditshme, por edhe si do të jetë e ardhmja. Kjo jo vetëm, sepse së fundmi, politikanë izraelitë, mes tyre edhe ministra të qeverisë ultra të djathtë të kryeministrit, Benjamin Netanjahu, e vënë në pikëpyetje, nëse popullsia e Gazës duhet të kthehet sërish aty. “Ne shpresojmë që të mos ketë dëbime të detyruara, që lufta të marrë fund dhe të njerëzit të kthehen në vendbanimet e tyre. Mjaft më me atë që ndodhi, duhet të ketë një fund”, thotë Muhamed Ali.

Zyrtarisht as kabineti izraelit dhe as kabineti i zgjeruar i sigurisë nuk janë në ujdi se çfarë do të ndodhë me Gazën dhe 2,2 milionë banorët e saj pas luftës. Diskursi politik në vend është i fokusuar tek “eliminimi” i Hamasit që është përgjegjës për sulmet terroriste më 7 tetor, ku u vranë rreth 1200 vetë. Dhe për lirimin e rreth 130 pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës.

“Largim vullnetar” i palestinezëve nga Gaza

Politikanë të ekstremit të djathtë, si ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir, ministër për Sigurinë Kombëtare nuk e fshehin aspak, se ata e përfytyrojnë të ardhmen e Gazës pa palestinezë dhe të mbushur me ngulime të reja izraelite. “Ajo që duhet bërë me Gazën, është nxitja e largimit”, ka thënë Smotrich së fundmi në një intervistë me radion e ushtrisë izraelite. “Nëse në Gaza ka 100.000 ose 200.000 arabë dhe jo 2 milionë, i gjithë diskutimi për ditën më pas do të jetë tërësisht ndryshe”. Ben Gvir kërkoi të nxitej “largimi vullnetar” i palestinezëve nga Rripi i Gazës. Edhe parlamentarë të tjerë dhe anëtarë të kabinetit janë shprehur pak a shumë kështu. Në mediat izraelite është raportuar për negociata me vende të treta, që do të ishin të gatshme të pranonin palestinezët, si Republika Demokratike e Kongos, Ruanda apo Çadi. Por të treja këto vende i kanë hedhur poshtë këto raportime si jo të vërteta.

Netanjahu: Nuk ka qëllim për të pushtuar afatgjatë Gazën

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Gallant i ka refuzuar planet për ngulime nga partnerët djathtistë të koalicionit. Nuk do të ketë “prezencë civile [izraelite] në Gaza”, thuhet në një plan për të ardhmen e Gazës të prezantuar në fillim të janarit. Sipas tij, Gaza duhet të qeveriset nga palestinezët, thuhet në plan, në një kohë që Izraeli ka në dorë kontrollin e sigurisë. Edhe kryeministri Netanjahu ka bërë të qartë, se Izraeli “nuk ka qëllim që të mbajë të pushtuar në plan afatgjatë Gazën apo të dëbojë popullsinë civile”. Izraeli tërhoqi ngulimet në Rripin e Gazës në vitin 2005. Ai ka kontrollin mbi kufijtë detarë dhe tokësorë si edhe hapësirën ajore, nga koha kur Hamasi militant erdhi me dhunë në pushtet në Gaza.

Partnerët e vegjël ultrakonservetorë të koalicionit kanë rëndësi për të mbajtur në pushtet qeverinë e koalicionit të Netanjahut. Ndikimi i tyre në vendimet strategjike është nganjëherë i diskutueshëm. “Izraeli është më shumë se kurrë më parë i varur nga SHBA. Kjo prek si marrëdhëniet diplomatike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe sigurinë kombëtare të Izraelit”, thotë Udi Sommer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tel Avivit dhe studiues i ftuar në John Jay College të Universitetit City të Nju Jorkut. “Nëse do të kesh një parashikim për një skenar realist të pas luftës në Gaza, unë do të dëgjoja ato që thotë Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe jo deklaratat e pamatura të elementëve ekstremistë në qeverinë e Netanjahut.”

Ka kritika, se debati publik në Izrael ka shumë pak vend për fatin e popullsisë civile në Gaza. Në një letër të hapur të disa ish-deputetëve dhe akademikëve kritikohen deklaratat nxitëse kundër palestinezëve nga politikanë, gazetarë dhe parlamentarë. Deklaratat e konsteruara të politikanëve dhe ministrave janë marrë nga Afrika Jugore si argument për akuzën e gjenocidit që Afrika Jugore ngriti kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombtare në Hagë. Së fundmi u zhvilluan aty seancat dëgjimore.

SHBA dhe vende të tjera, mes tyre Gjermania i kanë kritikuar deklaratat e së djathtës ekstreme si “të papërgjegjshme dhe nxitëse”. Antony Blinken në vizitën e fundit bëri të ditur një mision të Kombeve të Bashkuara në Gaza, që duhet të përcaktojë, se në cilat rrethana mund të kthehen palestinezët.

1,9 milionë vetë nga Gaza janë në arrati

Një zhvendosje potenciale me detyrim e palestinezëve nga Gaza është e papranueshme edhe për shtetet arabe. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi është shprehur, se vendi i tij nuk ka asnjë plan të vendosë palestinezët në Sinain fqinj.

Sipas të dhënave të OKB, aktualisht 1,9 milionë palestinezë janë në arrati nga fillimi i luftës. Qindra mijëra vetë kërkojnë strehë në Rafah, pikën më jugore të Rripit të Gazës, në kufi me Egjiptin. Aktivisti palestinez për të drejtat e njeriut, Mustafa Ibrahim është shprehur për DW, se kthimi i shpejtë i palestinezëve pas shkatërrimeve kaq të mëdha në Gaza është i pasigurtë. Ibrahim tha se “deklarata e fundit e Smotrich që u dënua nga Europa dhe SHBA tingëllon si një koncept për dëbimin”.

Tema e dëbimit dhe largimit nga vendlindja nuk është e re për palestinezët, thotë Ibrahim. Shumë palestinezë ende e kanë në memorie “Nakba”-katastrofën, ku qindra mijëra vetë u dëbuan nga vendlindja gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1948. Tek ky grup refugjatësh është edhe Amer Abdel Muti, me origjinë nga Dzhabalia, që duhej disa herë të largohej, në fillim në Khan Junis pastaj në Rafah. “Nëse shtetet perëndimore gjatë luftës hapin dyert për ne, dhe lejojnë një udhëtim afatshkurtër, që na mundëson të kthehemi pas një armëpushimi, unë do të largohesha, sepse kam frikë për jetën”, shkruan 30 vjeçari në një mesazh në telefon. “Por nëse më duhet të largohem përgjithmonë, atëherë nuk do të doja të ikja. Atëherë do doja të qëndroja në vendlindjen time.”




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Artikuj të ngjashëm

Back to top button