Berisha: Gratë tona meritojnë gjithçka për ato që kanë bërë dhe bëjnë, por në mënyrë të padrejtë ato u shpërblyen me murin e patriarkisë
Nga dritarja e shtëpisë së tij, Sali Berisha tha sonte se nuk ka fjalë, nuk ka himn, nuk ka apoteozë, nuk ka simfoni, nuk ka këngë, nuk ka melodi që mund të paraqesë atë që nënat, motrat, vajzat, gratë tona meritojnë për gjithçka ato kanë bërë dhe bëjnë.
Berisha: Nuk ka fjalë, nuk ka himn, nuk ka apoteozë, nuk ka simfoni, nuk ka këngë, nuk ka melodi që mund të paraqesë atë që nënat, motrat, vajzat, gratë tona meritojnë për gjithçka ato kanë bërë dhe bëjnë. Miqtë e mi! Nuk dua të harrojmë se vetë bota e qytetëruar dhe qytetërimi kanë në themel para së gjithash dhe mbi të gjitha, gruan, nënën vajzën, motrën. Ekzistenca e kombit shqiptar si i tillë, është atribut i nderit të tyre. Dhjetëra e dhjetëra pushtime kaluam në këto troje, por ato lindën vetëm shqiptarë. Ruajtën për të marrë hua fjalën e një nëne e cila u ndodh në kampin e Tepelenës dhe varrosi fëmijën e vet; ruajta thotë sojin e burrit. Ruajti nderin e vet dhe të tilla qenë gratë shqiptare në shekuj. Ndaj dhe ne ngelëm shqiptarë.
Me asgjë nuk mund të shpërblehet ai vlerësim që nënat dhe motrat, gratë meritojnë. Ato janë së bashku me forcën hyjnore, krijuesit e mrekullisë më të madhe të shoqërisë njerëzore, familjes, vatrës familjare. Por nga ana tjetër në mënyrë të padrejtë ato u shpërblyen me murin e patriarkisë, me sundimin e patriarkialitetin, mur i cili në shekuj dhe mijëvjeçar ishte dhunuesi më absolut i të drejtave të njeriut. Mur i cili edhe sot është gjenerator dhunë dhe padrejtësie ndaj tyre. Është kudo në botë, por në Shqipëri është ndër më të egrit, më të rëndë se kudo tjetër. Kontributi i nënave, motrave, vajzave dhe grave në shoqëri është i paçmueshëm në të gjitha aspektet dhe megjithatë ato janë të diskriminuara. Kontributi i tyre në luftën kundër diktaturës ka qenë përcaktues, vendimtar, guximi, përkushtimi i tyre ishte përcaktues për çlirimin e Shqipërisë.