Situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 2 vatra aktive në orët e fundit, ja ku po ‘luftohet’ ende me flakët

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Sipas njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, ku për momentin vetëm 2 vatra janë aktive.
Njoftimi:
Situata e zjarreve në vend
Forcat zjarrfikëse, me ndihmën edhe të Forcave të Armatosura po vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Në Finiq të Vlorës, dy helikopterë të FA janë duke kryer operacione intensive nga ajri, duke mbështetur forcat tokësore në shuarjen e flakëve.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat:
– 9 vatra janë shuar,
– 2 vatra janë aktive,
– 2 vatra janë në monitorim.
Aktualisht aktive mbeten vatrat në:
* Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë: Vatra e zjarrit po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.
* Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë: Është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku një vatër u shua një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse.
Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.
* Parku Natyror Gërmenj, njësia Leskovik: Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.
* Fshati Dërmish, njësia Finiq, Vlorë: Vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa.