Aktualitet dhe Lajme

Plagosja e 28-vjeçarit në Fresk/ Policia: Arrestohet një person, shpallet në kërkim një tjetër

Share

Policia e Tiranës, ka arrestuar një person dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më 2 gusht 2025 në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, Juglen Abazi.

Në pranga ka rënë shtetasi A. D., 30-vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi D. H. Të dy dyshohen për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.

Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të ndihmuar autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin Klevis Caka (Lusha) i cili aktualisht ndodhet në kërkim.

Vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes dhe të bashkëpunëtorit të tij.

Njoftimi i policisë:

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, në Fresk, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë arrestuar shtetasin A. D., 30-vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin D. H., për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit J. A., 28-vjeç, kanë kryer veprime (lëvizje dhe fshehje të sendeve) për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj, shtetasin K. C.(L.), i cili është shpallur në kërkim”,– njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button