VIDEO/E rëndë! Shembet ndërtesa shumëkatëshe në ndërtim, 19 të zhdukur në Filipine

Share

Ekzistojnë frikëra serioze për fatin e të paktën 19 personave, pasi një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër u shemb gjatë natës në veri të kryeqytetit të Filipine, në qytetin Angeles City. Autoritetet lokale dhe ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën për të larguar rrënojat dhe për të gjetur të mbijetuar.

Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë, shërbimet e menaxhimit të fatkeqësive u njoftuan rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, sipas orës lokale. Për arsye ende të panjohura, struktura prej betoni e ndërtesës nëntëkatëshe u shemb papritur, duke tërhequr me vete edhe skelat dhe duke zënë në kurth dhjetëra punëtorë ndërtimi.

Operacionet e shpëtimit po zhvillohen me vështirësi për shkak të sasive të mëdha të betonit dhe rrënojave. Zëdhënësi i qytetit, Xhej Pelajo, deklaroi për agjencinë franceze të lajmeve AFP se në momentin e shembjes në kantier ndodheshin 19 punonjës. “Po bëjmë gjithçka për t’i gjetur ata. Vëllimi i madh i betonit kërkon përdorimin e pajisjeve të rënda ngritëse, gjë që po e vështirëson shumë punën e ekipeve të shpëtimit”, tha ai.

Deri më tani, 24 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar nga një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes, e cila pësoi dëme të konsiderueshme materiale.

Autoritetet shpresojnë që 19 punëtorët e raportuar të zhdukur të jenë mes të mbijetuarve të identifikuar, ndërsa vijojnë verifikimet dhe marrja në pyetje e personave të shpëtuar. Deri tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa gjendja shëndetësore e të shpëtuarve paraqitet e qëndrueshme. Shkaqet e shembjes së ndërtesës mbeten ende nën hetim nga autoritetet lokale.


starnews.al

Reklama
Back to top button