
Antonio Oseguera Cervantes, vëllai i të ndjerit Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ish-lider i një prej karteleve më të fuqishme dhe më të dhunshme të drogës në Meksikë, pranoi fajësinë në një gjykatë në Uashington për trafikimin e kokainës dhe metamfetaminës drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas prokurorëve federalë amerikanë, Antonio Oseguera Cervantes ka vepruar në kartelet e drogës së bashku me vëllain e tij, “El Mencho”, i cili u vra nga ushtria meksikane në muajin shkurt.
“El Mencho” ishte bashkëthemelues dhe drejtues i Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Vitin e kaluar, administrata e presidentit Donald Trump e shpalli CJNG-në dhe kartele të tjera të drogës si organizata të huaja terroriste.
Antonio Oseguera Cervantes, 67 vjeç, nga shteti Michoacán i Meksikës, përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej 15 vitesh burg. Gjyqtarja federale Beryl Howell ka caktuar seancën e shpalljes së dënimit më 13 nëntor.
Përveç akuzës për trafik droge, ai pranoi fajësinë edhe për posedim të një arme zjarri në funksion të veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve.
Antonio Oseguera Cervantes u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me drejtësinë në shkurt të vitit 2025. Përpara se vëllai i tij të bashkëthemelonte CJNG-në, ai kishte qenë pjesë e Kartelit Milenio.
starnews.al
