U errësua papritur/Kaos në një plazh në Francë, stuhia e fuqishme tmerron pushuesit

Share

Një ditë e qetë verore në një plazh në Francë u shndërrua brenda pak çastesh në kaos, pasi një stuhi e papritur e njohur si “galerne” goditi bregdetin me erëra të fuqishme dhe një rënie drastike të temperaturës.

Pamjet nga plazhi Antai tregojnë momentin kur fenomeni meteorologjik përfshin zonën, ndërsa pushuesit vrapojnë për të shpëtuar veten dhe për të siguruar sendet e tyre, teksa era e fortë ngre në ajër peshqirë, çadra, dërrasa surfi dhe objekte të tjera.

Sipas raportimeve, temperatura ra me 11 gradë Celsius në vetëm gjashtë minuta, ndërsa kushtet atmosferike ndryshuan në mënyrë të menjëhershme.

Fenomeni “galerne” karakterizohet nga një rënie e menjëhershme e temperaturës dhe erëra të forta veriperëndimore. Ai ndodh në brigjet perëndimore të Francës, kur ajri i ftohtë që vjen nga Gjiri i Biskajës përplaset me ajrin më të ngrohtë mbi tokë, duke krijuar erëra që mund të arrijnë shpejtësi deri në 95 km/h.

Qindra turistë u panë duke mbledhur me nxitim sendet e tyre dhe duke kërkuar strehim, ndërsa shumë prej tyre e përshkruan skenën si “surreale”.

“U errësua papritur, u mbush me re dhe mjegull”, tha një grua.

Një tjetër pushues e përshkroi fenomenin si “diçka që nuk e kishim parë kurrë më parë”.




Start News

Reklama
Back to top button