
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë dhe të papritur që ka ndezur menjëherë alarmet e sigurisë globale, duke deklaruar se Irani do të “goditet rëndë” ditën e nesërme. Gjatë një interviste të dhënë për komentatorin politik konservator, Hugh Hewitt, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i ka kursyer kërcënimet e drejtpërdrejta ushtarake, duke përmendur madje edhe objektiva specifikë.
Sipas Trump, në shënjestër të sulmeve të mundshme amerikane do të jetë ai që njihet si “Mali i Kazmës” (Pickaxe Mountain), një lokacion që lidhet ngushtë me programin dhe aktivitetet bërthamore të Teheranit.
Gjatë bisedës me Hewitt, presidenti amerikan u shpreh i prerë për planet e tij operative kundrejt Iranit, duke treguar se inteligjenca amerikane po ndjek çdo lëvizje në koordinatat e përcaktuara.
“Do ta shkatërrojmë Malin Pickaxe. Thuaju iranianëve të jenë gati. Po e vëzhgojmë nga afër. Për momentin nuk shohim asnjë aktivitet atje. Ata nuk po shkojnë mirë me situatën e tyre bërthamore”, deklaroi prerazi Donald Trump.
Trump la të kuptohet se SHBA nuk do të tolerojë asnjë përparim të Iranit në zhvillimin e armëve bërthamore dhe se reagimi i Uashingtonit do të jetë i menjëhershëm dhe shkatërrues.
“Sa herë që dëgjojmë për këtë, e hedhim në erë. Kështu që nuk u pëlqen të flasin për të. Por ndoshta do ta provojmë Pickaxe-n relativisht shpejt”, shtoi më tej presidenti amerikan.
Ky pozicionim i ashpër i Trump vjen në një moment tensionesh maksimale në Lindjen e Mesme, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak me përmasa të paparashikueshme.
starnews.al
