Aktualitet dhe Lajme

Theu arrestin shtëpiak dhe shkoi në lokal, mjeku Edmond Gashi shoqërohet në Polici, nis procedimi penal

Share

Mjeku onkolog Edmond Gashi është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga agjentët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar me vendim të Gjykatës së Tiranës për “shpërdorim detyre” pas skandalit me pacientët me kancer të Spitalit Onkologjik, që dërgoheshin në klinikën e tij private.

Hetimi në gjendje të lirë është bërë mbrëmjen e së enjtes (27 qershor) rreth orës 21:00, ku i shoqëruar në komisariat ka qenë vetë mjeku, pas komunikimit me prokurorin e çështjes, Bledar Valikaj.

Zakonisht, për thyerje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, prokuroria ka vepruar me rëndim të masës, por nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë me mjekun Gashi.

Policia e Tiranës mori informacion në rrugë operative se mjeku Gashi e kishte thyer masën “arrest në shtëpi” dhe kishte frekuentuar ambientet e një lokali në fshatin Kus, pjesë e njësisë administrative të Kasharit.

Burime për RTSH bëjnë me dije se fillimisht pas marrjes së informacionit, Gashi nuk është gjetur në lokal, por në banesë, megjithatë kamerat e sigurisë së lokalit, të cilat janë administruar nga blutë kanë konfirmuar se ai ka qenë në ambientet e lokalit.

Të njëjtat burime thonë se ditën që Gashi mori masën e sigurisë, nga Gjykata e Tiranës nuk ka pasur në drejtim të policisë asnjë shkresë për shoqërimin e tij nga banesa për në sallën e gjyqit. Gashi, menjëherë pas mbarimit të seancës, duke përfituar nga hapja e derës nga një punonjëse, e cila përdoret nga gjyqtarë e prokurorë për të dalë nga dera e pasme e gjykatës, ka dalë jashtë me vrap i pashoqëruar nga askush.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button