Një anije pasagjerësh me më shumë se 240 persona në bord ka humbur kontaktin në detin Java, ndërsa autoritetet indoneziane vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Agjencia indoneziane e kërkim-shpëtimit bëri me dije se anija Virgo Transport 8 ishte nisur të shtunën nga Surabaya, në Java Lindore, drejt Banjarmasin në Kalimantanën Jugore, në ishullin Borneo. Kontakti me anijen u ndërpre gjatë kushteve të këqija atmosferike.
Në një njoftim fillestar, autoritetet deklaruan se nuk kishin mundur të përcaktonin vendndodhjen e anijes. Më vonë, u konfirmua se 103 persona ishin shpëtuar, ndërsa 140 rezultojnë ende të zhdukur dhe një person ka humbur jetën.
Zyra e Kërkim-Shpëtimit në Banjarmasin tha se kishte marrë informacion për një problem komunikimi me anijen. Të dhënat paraprake tregojnë se pozicioni i fundit i njohur i saj ishte rreth 148 kilometra nga një prej kalatave të qytetit.
Sipas autoriteteve, anija ishte nisur nga Surabaya të shtunën në orën 10:13 sipas kohës lokale, ndërsa raportimi për humbjen e kontaktit u mor rreth orës 02:00 të së dielës.
Në operacion është angazhuar edhe një helikopter.
Start News
