Shqipëria i bashkohet NASA-s për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, nënshkruan Marrëveshjet Artemis

Share

Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të nënshkrues i Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e udhëhequr nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për bashkëpunimin në eksplorimin civil të hapësirës.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 12:00 sipas kohës së Uashingtonit (EDT), në selinë e NASA-s në kryeqytetin amerikan.

Në ceremoni do të jetë i pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati. Ceremonia do të drejtohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, ndërsa do të marrin pjesë edhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Donald Trump, me SHBA-në dhe shtatë vende të tjera si nënshkruesit themelues. Nisma u krijua në një kohë kur interesimi për eksplorimin e Hënës dhe aktivitetet hapësinore ishte në rritje, si nga qeveritë ashtu edhe nga kompanitë private.

Dokumenti përcakton një sërë parimesh për eksplorimin civil të hapësirës, duke synuar rritjen e sigurisë, transparencës dhe koordinimit ndërkombëtar në misionet drejt Hënës, Marsit dhe më tej.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve, Shqipëria i bashkohet kështu një grupi prej 73 vendesh që kanë zgjedhur të angazhohen në këto parime të bashkëpunimit për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.

Ceremonia do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe gazetarët e interesuar duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen pranë NASA-s brenda orës 10:00 të mëngjesit të 21 shtatorit.


Start News

Reklama
Back to top button